“Jo takimit me Trump”, Rouhani në OKB, mesazh SHBA

schedule21:24 - 25 Shtator, 2019

schedule 21:24 - 25 Shtator, 2019

Presidenti iranian Hasan Ruhani është shprehur i gatshëm për modifikimin e marrëveshjes bërthamore të 2015-s, por ka deklaruar se u takon Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Në fjalimin e tij në OKB, Ruhani ka refuzuar çdo dialog me Uashingtonin përsa kohë sanksionet do të jenë në fuqi.

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara “duhet të paguajnë më shumë” për një marrëveshje që të shkojë përtej asaj të vitit 2015, të cilën Amerika e braktisi. Ruhani refuzoi edhe një takim eventual me presidentin Trump, edhe pse të dy ndodhen në selinë e OKB-së në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë Kombëtare. Në fjalimin e tij, Ruhani paralajmëroi liderët botërorë se rajoni i Gjirit Persik është shumë pranë, sipas tij, të marrit flakë.

“Rajoni është në buzë të greminës. Nga një gabim i vogël mund të bjerë një zjarr i madh”, tha Ruhani, i cili refuzoi edhe ofertën e Uashingtonit për bisedime. “Përgjigjia jonë ndaj ofertës për bisedime nën presion është jo”, theksoi presidenti i Republikës Islamike. Përballja SHBA-Iran është përshkallëzuar që prej vitit të kaluar, kur presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e 4 viteve më parë dhe rivendosi sanksionet që kanë drobitur ekonominë iraniane. Trump kërkon një marrëveshje që shkon përtej asaj të vitit 2015 dhe që frenon më shumë programin bërthamor të Teheranit, kufizon programin e raketave balistike dhe i jep fund mbështetjes për fraksionet rebele në Lindjen e Mesme. “Nëse doni më shumë, nëse kërkoni më shumë, atëherë duhet të jepni dhe të paguani më shumë”, theksoi Ruhani. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!