Jim Carrey kundër Facebook

schedule18:23 - 7 Shkurt, 2018

schedule 18:23 - 7 Shkurt, 2018

Aktori i njohur amerikan, Jim Carrey, është pozicionuar politikisht kundër rrjetit social Facebook, duke e akuzuar se nuk po bën sa duhet për të ndalur influencën ruse në Shtetet e Bashkuara.

Aktori amerikan Jim Carrey ka mbyllur profilin e tij në Facebook, pasi sipas tij, rrjeti social i themeluar nga Mark Zuckerberg nuk lufton sa duhet kundër influencës ruse.

“Po nxjerr në shitje stokun tim të aksioneve në Facebook dhe po mbyll profilin tim sepse rrjeti social ka përfituar nga influenca ruse. Ftoj të gjithë investitorët e tjerë, që shqetësohen për të ardhmen tonë, të bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë aktori përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Në Shtetet e Bashkuara prej mëse një viti vazhdojnë hetimet mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në fushatën elektorale të 2016-s. Shtatorin e kaluar, Facebook raportoi se kishte identifikuar disa qindra profile të rreme, që i lidhte me Rusinë dhe përmes të cilëve në Shtetet e Bashkuara ishin përcjellë mijëra mesazhe politike.

Ndërkohë, lajmi i Carrey ka bërë xhiron e botës dhe ka mbërritur deri në Moskë, ku aktori komik është mjaft popullor, por deri tani nuk ka patur një reagim.

Carrey është përfshirë në çështje politike edhe më herët, si në rastin kur ndërmori një fushatë kundër vaksinimit dhe e quajti guvernatorin e Kalifornisë Jerry Brown një “fashist korporatash që helmonte fëmijët”./abcnews.al