Fatkeqësitë natyrore si zjarret, uraganet apo përmbytjet – lënë shkatërrime pas, si dhe mijëra njerëz, jetët e të cilëve rrënohen. Pas shumë muajsh dhe madje vitesh, shumë njerëz ende përpiqen të rindërtojnë. Në gusht, gati një vit pasi uragani Maria rrënoi Porto Rikon, shumica e banorëve të ishullit më në fund kanë energji elektrike. Ende nuk dihet se sa prej më shumë se 10,000 shtëpive të djegura në zjarret e nëntorit në Kaliforni do të rindërtohen. Banorët e ishullit Havai ende po vlerësojnë dëmet nga shpërthimi i vullkanit Kilauea tetë muaj më parë, thotë Genia Dulot e Zërit të Amerikës, e cila vizitoi zonën e prekur nga vullkani.
Shpërthimi në muajin maj i vullkanit Kilauea ishte i 62-ti në 36 vjet. Një nga pesë vullkanet aktive në ishullin Havai, shkencëtarët besojnë se Kilauea “ka rënë në gjumë” pas shpërthimit të fundit.
Shpërthimi në maj shkaktoi shembjen e 825 milionë metra kub dheu në kraterin e vullkanit, duke shtyrë magmën në tunele nëntokësore.
Llava përshkroi 20 kilometra, duke shkatërruar 700 shtëpi dhe detyruar evakuimin e rreth 2 mijë njerëzve. Mes tyre edhe Herschel Hood, që ka 13 vjet që jeton aty.
“Ishte një pjesë e vogël e parajsës dhe ishte aq e bukur, rreth tre kilometra larg oqeanit. Udhëtoja me biçikletë përgjatë rrugës dhe sodisja bukuritë e oqeanit… Kishim një fermë organike të mirë. Unë kisha gjithçka nga frutet e dragoit, agrume dhe pesë lloje të ndryshme bananesh. Çdo gjë rritet shumë mirë për shkak të shiut dhe të diellit të bollshëm dhe tokës tonë vullkanike,” thotë zoti Hood.
Pas evakuimit, shpërthimi i vullkanit shkaktoi një çarje në oborrin e tij të pasëm.
Gjithçka që zoti Hood zotëron tani, janë gjërat me të cilat u evakuua, dy makina dhe çanta me rroba dhe disa dokumente. Tani që shpërthimi tre-mujor ka përfunduar, ai ka nevojë të rindërtojë jetën e tij. Ashtu si viktimat e tjera të shpërthimit, ai ka marrë ndihmë financiare nga qeveria amerikane megjithëse nuk mjafton, thotë ai, për të ndërtuar një shtëpi të re.
Tim Lloyd jetonte vetëm pak kilometra pranë Hood. Llava nuk arriti shtëpinë e tij, por e shkëputi atë nga pjesa tjetër e ishullit. Pa u ndërtuar rruga e re, ai nuk mund të kthehet.
“Jetojmë mbi një vullkan në një ishull dhe është aktiv. Për mua, është pjesë e jetesës këtu, është pjesë e marrëveshjes dhe ne e dimë këtë. Por në realitet nuk e pranojmë derisa të ndodhë. Është i paqëndrueshëm, pavarësisht se shumë njerëz mendojnë ndryshe”, thotë zoti Lloyd.
Por pavarësisht shkatërrimit, banorët nuk duan të lënë atë që ata e quajnë Ishulli i Madh ‘Big Island’. Për disa havajanë, çdo shpërthim vullkanik është një akt i perëndeshës Pele, e cila adhurohej në kohët e hershme si krijuese e ishujve Havai. Në të vërtetë, pas çdo shpërthimi, llava e derdhur vetëm sa zgjeron brigjet e atij ishulli./Zëri i Amerikës