Jeta pa futbollin, dëmtimi dhe Johan Cruyff: Rrëfehet Marco Van Basten

schedule19:58 - 6 Nëntor, 2020

schedule 19:58 - 6 Nëntor, 2020

Ish-sulmuesi i Milanit, Marco Van Basten, është rikthyer të flasë për karrierën e tij. Në një intervistë për “BBC Radio 5”, holandezi tregon më shumë rreth atij dëmtimi që e detyroi të tërhiqej para kohe nga futbolli si dhe ka disa fjalë për idhullin e tij, Johan Cruyff.

“Nëse do të kisha mundësinë të zgjidhja dhe një herë me të gjithë njohuritë që kam sot, nuk do të ia vlente aspak të vazhdoja. Gjithë ajo dhimbje që kalova, nuk vleu aspak. Kyçi im më krijoi shumë probleme dhe ndikoi në jetën time në çdo ditë që kalonte. Por, gjatë gjithë kohës futbolli ishte padyshim jeta ime.

 

Tashmë jam më i madh dhe po jetoj një jetë pa futboll. Sërish mund të keni një jetë të mirë, pasi ka më shumë se futbolli për të jetuar. Sot unë do të kisha marrë një vendim tjetër nëse mund të kisha mundësinë e zgjedhjes. Unë vdiqa si lojtar. Edhe pse tashmë kyçin e kam në rregull, sërish nuk mund të luaj futboll.

Nuk mund të gjuaj, nuk mund të bëj asgjë me këmbë time. Në gjithë jetën time nuk kishte asnjë ditë që unë mos ta prekja topin dhe papritur gjithçka u kthye përmbys. Ishte shumë e dhimbshme për mua”, deklaron Van Basten, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur në moshën 30-vjeçare.

 

“Johan Cruyff? Ai është padyshim heroi im. Ishte një nga më të mirët dhe unë e konsideroja atë shembull për ta ndjekur. Johan ishte në një nivel me George Best në atë kohë dhe kur e shikoje në fushë ishte diçka shumë e bukur.

Personalisht e njoha më vonë dhe ai më pas u bë trajneri im, këshilluesi im, shoku im i skuadrës si dhe kundërshtari im. Ishte shumë më e lehtë për mua që të luaja me të se sa të flisja me Cruyff”, përfundon Van Basten. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!