“Jeta është si një kafe”: Leksione nga Alex Zanardi, i droguari me sport që s’u dorëzua kurrë

schedule17:19 - 1 Janar, 2021

schedule 17:19 - 1 Janar, 2021

Alex Zanardi është një nga sportistët më të dashur për italianët dhe një shembull fantastik për të gjithë. Ai kishte një pasion të madh për garat me makina, ia doli të bëhej pjesë e Formula 1 (me skuadrat e Jordan, Minardi, Lotus dhe Willims) dhe më pas e kampionatit CART. Fati tregohet i ashpër me të dhe 19 vite më parë pëson një aksident të frikshëm.

Ishte 15 shtatori i vitit 2001 dhe zhvillohej gara e Lausitzring në Gjermani. Vite më parë kishte humbur motrën në një aksident rrugor, ndërsa pak ditë më parë kishte ndodhur tragjedia e Kullave Binjake në New York. Drejtuesit vendosën ta quanin çmimin e madh gjerman “Memoriali Amerikan”, një lloj homazhi për SHBA.

 

Michael Schumacher dhe Alex Zanardi

Piloti nga Bolonja ndodhej në një formë të mrekullueshme atë fundjavë. Në provat e së premtes kryen xhiron më të shpejtë dhe të shtunën e 15 shtatorit zhvillon një nga garat më mira të karrierës. Ndodhej në krye dhe fitorja ishte çeshtje kohe.

Dukej sikur askush nuk po e ndalonte dot, por situata ndryshon shpejt dhe përgjithmonë. Zanardi bën një ndalesë në bokse, rikthehet në pistë dhe humbet kontrollin e makinës. Kanadezi Tagliani vjen nga pas me një shpejtësi të rrufeshme prej 320 km/h dhe e godet keq. Përplasje e egër dhe fatale për italianin.

Zanardi nuk e kupton se çfarë ka ndodhur realisht. Përpara rënies në gjendje shoku tenton të dalë nga makina, por e ka të pamundur. Një helikopter e nis menjëherë drejt Berlinit dhe qëndron për tre ditë në koma në spitalin e kryeqytetit gjerman.

Ai kryen një operacion maratonë dhe del nga klinika gjermane, pas 1 muaji e gjysmë qëndrimi dhe 14 operacioneve të kryera! Ka humbur të dy këmbët dhe tashmë është totalisht i paralizuar. Është vetëm 35 vjeç, duket sikur jeta ka marrë fund, por Zanardi ka një karakter të hekurt dhe nuk dorëzohet kurrë.

Në moshën 20-vjeçare je i interesuar për të fituar medalje, në moshën 40-vjeçare vlerëson atë që bën çdo ditë. Kur u zgjova nga aksidenti i tmerrshëm, pashë gjysmën që kishte mbetur, jo gjysmën që ishte zhdukur”, do të shprehej vite më vonë. Dalëngadalë e merr veten dhe vendos të rikthehet pas dy viteve në “skenën e krimit”.

I ulur në një karrocë me rrota, ai merr guximin të futet në pistën e Lausitzring dhe vendos të përfundojë 13 xhirot që i kishin mbetur pa mbyllur dy vite më parë… Një gjest simbolik që krijon emocione të forta dhe i përlot të gjithë.

 

Karriera e re e Alex Zanardi

Zanardi nuk mund të qëndrojë pa sport dhe merr një vendim që do të frymëzojë shumë persona. Ai nis një karrierë të re, atë të paraçiklizmit dhe regjistrohet në Lojërat Paraolimpike. Ai është një atlet me aftësi të kufizuara që ëndërron dhe beson ende tek ëndrra për t’u bërë një kampion.

Një person me aftësi të kufizuara ka një mijë e një arsye për t’u zemëruar me jetën dhe kur ndodh askush nuk ka të drejtë ta fajësojë atë. Megjithatë, mund t’ua them me siguri se kam zbuluar se bëj më shumë gjëra pa këmbët e mia për të plotësuar kohën që kam në dispozicion”.

Dashuria e tij për sportin dhe vendosmëria për të shijuar jetën janë të pabesueshme. Zanardi nuk heq dorë kurrë nga pasioni unik dhe në vitin 2012 merr pjesë në Lojërat Paraolimpike të Londrës.

 

Në një nga garat e tij…

Garon në kategorinë “handbike”, ndryshe çiklizmi me duar dhe jo me këmbë. Jep gjithçka, i lumturon të gjithë dhe ia del të fitojë medaljen e artë. Magjike! Alex Zanardi kthehet në një idhull të popullit italian dhe jo vetëm, në një hero të kohërave tona.

Italiani vazhdon të garojë, fitojë medaljen e artë edhe në Rio 2016, dhe numëron 8 trofe të tjerë. Kohët e fundit ishte përgatitur për Olimpiadën e Tokios, por garat u shtynë për vitin tjetër për shkak të pandemisë globale të koronavirusit. Komiteti Ndërkombëtar Paraolimpik (IPC) dha mbështetjen e plotë ndaj vendimit të marrë nga qeveria japoneze dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

 

Një moment lumturie pas fitimit të medaljes së artë

Zanardi ishte përgatitur për sfidën e radhës, por e merr gjithçka me sportivitet dhe humor. “Një lajm që më pret këmbët, por do të jem gati për vitin e ardhshëm”, është batuta spektakolare e tij. ”Do të jem 54 vjeç vitin tjetër, por kujt po i plas për shtyrjen e Lojërave Paraolimpike. Do të kem në dispozicion edhe një vit për t’u zbavitur. Do jem gati për verën e vitit 2021”, komenton duke buzëqeshur.

Nuk doja t’i provoja asgjë askujt, sfidën e kisha me veten time. Nëse shembulli im ka shërbyer për t’i dhënë besim të tjerëve, gëzohem dhe më vjen mirë. Sa më e vështirë beteja, aq më i madh është triumfi. Njeriu mund të drogohet edhe me gjëra të mira, sporti është një prej tyre.

 

Momente emocionuese pas triumfit në Olimpiadën e Rios në Brazil

Garat kanë një rëndësi të madhe, por pasioni im më i madh mbeten djali Nicolo, ushqimet që më gatuan nëna ime dhe gruaja Daniela, jo domosdoshmërisht me këtë renditje.

Jeta është si një kafe. Mund të hedhësh të gjithë sheqerin që dëshiron, por duhet ta përziesh me lugë për ta ëmbëlsuar. Asgjë nuk ndodh nëse qëndron pa lëvizur”, shprehet Alex Zanardi, një njeri i rrallë, që të përcjell respekt dhe të frymëzon. (Igli Nikolli – Abcnews.al)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!