Nga Gerta Vasku
Rritja e çmimeve të qirave është kthyer në një problem shqetësues. Më së shumti ky fenomen prek studentët, të cilët e kanë më të vështirë, duke qenë se nuk janë të punësuar.
Ata thonë se kostot janë të mëdha, ndërsa detyrohen ta ndajnë banesën me persona të tjerë.
“Paguaj rreth 300. Unë jam bashkë me kushëririn, detyrohemi ta ndajmë. Muajt e fundit pronari i shtëpisë në bëri një rritje”.
Ka të tjerë që preferojnë një tjetër zgjidhje.
“Jetoj në konvikt,” thotë një prej tyre.
Agjencitë imobilare thonë se çmimet e qirave të banesave janë rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Thonë se në Tiranë nuk ka më apartamente me qira nën 30 mijë lekë.
“Çmimet e apartamenteve realisht këtë vit kanë një rritje super të madhe në krahasim me 2021. Është një rritje 22-35%”.
Agjenti imobilar Xhimi Gjoka shpjegon se më të interesuar janë studentët.
“Kjo barrë më e madhe bie mbi studentët. Ka shumë që kërkojnë apartamente tek ne dhe me thënë të drejtën gjendem shpesh në pozita shumë të mëdha kur 2-3 studentë marrin me 500 euro një shtëpi.”
Por cilat janë zonat më të shtrenjta në kryeqytet?
“Në zonën e Astirit kemi një rritje nga 22 mijë lekë që ka qenë ka shkuar në 37-40 mijë, ose 350 euro. Është një rritje goxha e madhe”.
Sipas ekspertëve, rritja e çmimit të qirave do vijojë. /abcnews.al/