Kryeministrja britanike Theresa May emëroi të hënën sekretarin e Shëndetësisë Jeremy Hunt si sekretar të ri të Jashtëm.Emërimi vjen pas dorëheqjes së paraardhësit të tij Boris Johnson në shenjë proteste ndaj planeve të qeverisë për një marrëdhënie tregtare të ngushtë me Bashkimin Europian.
“Mbretëresha pati kënaqësinë të miratojë emërimin e deputetit Jeremy Hunt si Sekretar i Jashtëm dhe i Çështjeve të Komonuelthit,” tha zyra e zonjës May në një deklaratë.
Krizë politike në rritje
Të hënën Boris Johnson dha dorëheqjen si sekretar i Jashtëm.
Dorëheqja erdhi në klimën e një krize politike në rritje lidhur me strategjinë e largimit të vendit nga Bashkimi Evropian dhe ishte një goditje për kryeministren May.
Johnson ishte ministri i dytë i kabinetit që largohej pas dorëheqjes pak orë më parë të Sekretarit të Brexit-it, David Davis.
Largimi i tij erdhi gjithashtu 30 minuta para se kryeministrja May t’i drejtohej Parlamentit rreth planit të saj të ri për Brexit-in, i cili ka zemëruar shumë deputetë të partisë konvervatore.
Johnson tha në letrën e dorëheqjes se plani i Kryeministres May do të çonte në një “gjysmë-Brexit”./Zëri i Amerikës