Nuk ka konsensus për reformën zgjedhore.
Partia Socialiste dhe demokratët e Enkelejd Alibeajt, diskutuan disa orë por nuk ranë dakord për asnjë ndryshim në rregullat elektorale.
PD solli disa propozime, duke kërkuar që ato të miratoheshin brenda ditës, por PS kërkoi konsultim me ODIHR-in dhe institucionet e tjera.
Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale u ngritën në shkurt të këtij viti me kërkesë të PD-së, por të dyja kanë zhvilluar fare pak mbledhje dhe nuk kanë pasur asnjë produkt konkret.
Me këtë ritëm, zgjedhjet e 14 majit zhvillohen pa asnjë rregullim të Kodit Zgjedhor, e po ashtu me hartën aktuale territoriale.
Mbledhja është shoqëruar me debate në lidhje me zbatimin e rregullores nga dy bashkëkryetarët, Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjiknuri.
Gjiknuri: Zoti Vasili unë isha korrekt, lash dhe zotin Alibeaj që të sqarohej. Unë mund të kem mendimin tim, i cili është politik, por mund të ketë një mendje juridike që mund të bindë anëtarët. Do dëgjoj opinionet, se unë mund të kem mendim politik si minidrejtues i kësaj mbledhje.
Alibeaj: Ne nuk jemi bashkë, unë jam vetëm këtu. Jam me ekspertët e mi. Nga ekspertët është vetëm një që ka propozuar, si zoti Sefa. Asnjë tjetër s’ka propozuar asgjë. Këtë dua të bëj me dije. I vetmi që ka propozuar është zoti Sefa. Është e drejta e çdo eksperti që të propozojë në varësi të atyre që përfaqëson dhe mbron. Ndaj ai foli. Duhet të zbatojmë rregulloren. Ndaj secili të shprehë vullnetin për këtë çështje. I pari që kërkoi fjalën ishte zoti Çollaku.
Gjiknuri: Zoti Vasili, para se t’ua jap fjalën për procedurë….do jua jap mo, një sekondë.
Alibeaj: Eksperti juaj është njohur, nuk ka sjell asnjë propozim. Pse të humbasim kohë. Është koha tashmë që secili prej deputetëve të shprehë vullnetin e vetë.
Vasili: Ky është komisioni i deputetëve të Kuvendit, ekspertët janë ndihmës, lehtësues të këtij procesi. Aq është e vërtetë sa që produktin e tyre, kjo tavolinë mund ta mbështesë apo ta rrëzojë. Ju them administrojeni siç është për t’u drejtuar këtë komision. Jeni thjesht lehtësues të standardit, boll është bajatosur ky komision. Jepini standard. Drafti është një i vetëm. Nuk ka mendime alternative mesa kam parë. Kjo është pjesa e atij që quhet debat politiko-teknik. Sa më parë të futemi në këtë lloj debati, aq më mirë është. Këto shpenzime kohësh parazite na fusin në përplasje./Abcnews.al/