“Jepini fund luftës”, qytetarë ukrainas e shqiptarë në protestë përballë ambasadës ruse në Tiranë

schedule17:24 - 27 Shkurt, 2022

schedule 17:24 - 27 Shkurt, 2022

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë mbledhur përballë ambasadës ruse, pasditen e së dielës në Tiranë për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Gazetarja Leontina Nika bën të ditur se përballë ambienteve të ambasadës u vendosën një numër i madh shtetasish nga Ukraina që jetojnë në vendin tonë, por solidaritet kanë treguar edhe qytetarë shqiptarë.

Në krye të protestës qëndron ambasadori ukrainas në Shqipëri Volodymyr Shkurov.

Protestuesit kanë valvituar një flamur gjigant ukrainas përpara ambasadës ndërsa në duar mbajnë edhe pankarta në të cilat janë shkruar mesazhe si “Jepini fund luftës, përpara se ajo t’u japë fund juve.”

Protestuesit bëjnë thirrje “stop luftës, dhe poshtë diktatori”, duke iu referuar liderit rus Vladimir Putin.

Ndërkohë, sa i përket situatës në zonën e lutës, CNN raporton se mes Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohen bisedime të hënën.

Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin është shprehur se bisedimet mes delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes me orën lokale.

 “Politikanët kanë rënë dakord që delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, bëri të ditur zyra e Presidentit Volodymyr Zelensky.

 “Aleksander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin Bjellorusisë do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, takimit dhe kthimit të delegacionit ukrainas.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!