Jep dorëheqjen zv/prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve

schedule22:32 - 9 Janar, 2019

schedule 22:32 - 9 Janar, 2019

Numri dy i Departamentit amerikan të Drejtësisë, që mbikëqyri hetimet mbi ndërhyrjen ruse, ka zgjedhur të japë dorëheqjen. Lajmi për Rod Rosenstein vjen pak muaj pas zërave se ai zotëronte një përgjim që mund të kompromentonte figurën e presidentit Donald Trump.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, që ka mbikëqyrur hetimet mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s, po planifikon dorëheqjen nga detyra. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave Rod Rosenstein po e shqyrton planin e tij i pandikuar nga Shtëpia e Bardhë, e njohur për kritikat sistematike të bëra në adresë të tij.

Gjithashtu, burimet mediatike kujtojnë se zërat për një dorëheqje të numrit dy të Departamentit të Drejtësisë nisën të qarkullonin muaj më parë, kur ai la të kuptohej se kishte përgjuar fshehurazi një bisedë që mund të kompromentonte presidentin Trump. Sidoqoftë, Rosenstein do të qëndrojë në detyrë deri në konfirmimin e të zgjedhurit të Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm, William Barr, që pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Duke komentuar lajmin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se kishte qenë në dijeni të planit të nënsekretarit të Drejtësisë.

“Mesa duket, ai po i hap rrugë ardhjes së kryeprokurorit të ri dhe ekipit të ri që ai dëshiron të krijojë”, u shpreh Sanders.

Rod Rosenstein nisi mbikëqyrjen e “Russiagate” pas distancimit nga hetimi të prokurorit të përgjithshëm Jef Sessions. Por pas shkarkimit të Sessions në Nëntor, mbikëqyrja i kaloi zëvendësuesit të përkohshëm Matthew Whitetaker, i cili shpërfilli thirrjet për distancim nga procesi për shkak të rezervave që kishte shprehur më herët ndaj tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!