Jep dorëheqjen kreu i rajonit separatist të Abkhazias në Gjeorgji

schedule12:06 - 19 Nëntor, 2024

schedule 12:06 - 19 Nëntor, 2024

Aslan Bzhania, udhëheqësi i rajonit separatist të Abkhazias të mbështetur nga Rusia në Gjeorgji, ka dhënë dorëheqjen pas negociatave me opozitën, tha të martën zyra e shtypit e Bzhania.

“Për të ruajtur stabilitetin dhe rendin kushtetues në vend … unë jap dorëheqjen nga posti im,” tha Bzhania në një deklaratë të postuar në kanalin e mesazheve Telegram të zyrës së tij të shtypit.

Bzhania dhe qeveria e tij e mbështetur nga Moska janë përballur me tensione në rritje dhe tubime masive për javë të tëra lidhur me një marrëveshje investimesh mes rajonit të Detit të Zi dhe Rusisë. Moska nuk ka ndërhyrë në situatën e përshkallëzuar me shpejtësi në Abkhazi, por kriza atje paraqet një sfidë të mëtejshme për presidentin rus Vladimir Putin, në kushtet e luftës kundër Ukrainës që po shënon 1000 ditë.

Rusia njohu Abkhazinë dhe një rajon tjetër separatist, Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura në vitin 2008, pasi fitoi ndaj Gjeorgjisë në një luftë pesë-ditore.

Ajo ka baza ushtarake në të dy rajonet dhe mbështet ekonomitë e tyre. Shumica e botës e njeh Abkhazinë si pjesë të Gjeorgjisë. Abkhazia dhe Osetia e Jugut u shkëputën nga qeverisja e Tbilisit gjatë luftrave të viteve 1990 që pasuan rënien e Bashkimit Sovjetik.

Protestuesit abkhazë kanë kërkuar dorëheqjen e Bzhanias dhe gjithë qeverisë së tij dhe kanë kërkuar zgjedhje të reja.

Duke cituar një kryetar të parlamentit të rajonit, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se do të mbahen zgjedhje të parakohshme, pa dhënë detaje të mëtejshme./ voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!