“Jemi vërtetë të trishtuar”, Rashica: Keqardhje që nuk arritëm fitoren në derbi

schedule09:56 - 4 Mars, 2024

schedule 09:56 - 4 Mars, 2024

Luajtën mirë, por rezultati ishte zhgënjyes. “Shqiponjat e Zeza” të Besiktas zhvilluan një paraqitje spektakolare, pasditen e së dielës, në derbin e madh të Stambollit, ndaj rivalëve historik, të “Luanëve” të Galatasaray, mirëpo rezultati nuk ishte pasqyrë e lojës, me vendasit, që u mundën me rezultatin, 0 me 1, pas autogolit të Al Musrati, që në minutën e dytë të lojës.

Mirëpo, pavarësisht se nuk arritën dot të siguronin qoftë edhe një pikë, si “ylli” i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, ashtu edhe ai i “Dardanëve”, Milot Rashica zhvilluan performanca “magjike”, ku arritën të “flirtonin” jo pak herë me golin, por në disa raste portieri Muslera e në raste të tjera traversa ndalën “fantazistët” shqiptarë.

Pas derbi, në “Turpas Stadium”, disa fjalë për mediat i tha edhe sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, teksa u duk shumë i trishtuar për humbjen ndaj Galatasaray e më të tej u shpreh se ai dhe shokët e skuadrës ndihen keq për faktin që dolën pa pikë nga sfida me kryesuesit e kampionatit

“Jam vërtet i trishtuar. Në përgjithësi, mund të them se luajtëm ndeshjen më të mirë të sezonit. Qarkulluam topin, krijuam rastet tona, por nuk arritëm të shënonim gol. Na mungoi finalizimi, teksa pësuam një gol të shpifur. Fatkeqësisht shënuam autogol. Jam i trishtuar që nuk arritëm të fitonim derbin”,- u shpreh “ylli” i Kombëtares së Kosovës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!