Kryeministri Edi Rama deklaroi se sfida kryesore e Shqipërisë mbetet forcimi i institucioneve dhe ndërtimi i një sistemi drejtësie të pavarur, duke theksuar se problemet nuk lidhen me individët, por me funksionimin e sistemeve shtetërore.
Rama u shpreh se vetëm një sistem i bazuar te zbatimi i ligjit mund të shmangë arbitraritetin dhe korrupsionin, ndërsa nënvizoi se procesi i integrimit në Bashkimi Europian është garancia më e madhe për ta bërë të pakthyeshme reformën në drejtësi në vend.
Sipas kreut të qeverisë, mbështetja e shqiptarëve për BE-në ka qenë vendimtare në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe në avancimin e reformave. Rama theksoi se procesi i negociatave me Brukselin përfaqëson një transferim të rëndësishëm dijesh dhe standardesh europiane në Shqipëri, ndërsa garantoi se shumica qeverisëse do të vijojë të mbështesë pa lëkundje reformën në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura.
“Arsyet pse sfidat janë kaq të mëdha në vendin tonë, është se institucionet janë krejt tjetër nga përpjekjet e politikës, për të konceptuar dhe realizuar hartën e veprimeve. Në fund të ditës ka një të vërtetë shumë të thjeshtë, njerëzit nuk korruptojnë dot sistemet, ndërsa sistemet nëse nuk janë të fokusuara në zbatimin e ligjit mund të korruptojnë këdo. Nuk është njeriu, apo kombësia e tij, historia se nga një popull vjen, që përcakton sjelljen e individit në raport me ligjin, është sistemi.
Krijimi i një sistemi e bën pastaj të pamundur arbitraritetin, i cili edhe sot që flasim është i kudo ndodhur në sistemin tonë shtetëror, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë. Ne jemi në këtë sfidë plotësisht të vendosur, që të mos lejojmë që të ketë kthim mbrapa. Ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces dhe në këtë pikë ka diçka që është një garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, janë dy fjalë: BE. Nëse shqiptarët nuk do e donin kaq shumë BE-në ne nuk do të arrinim kurrë të vendosnim një sistem të drejtësisë të pavarur.
Ndryshimi mes nesh dhe atyre, është që ne kemi BE-në, ata nuk e kanë. BE është burimi më i madh dhe i vetëm në botë për të mësuar se si funksionojnë sistemet nëpër botë. Procesi i negociatave është transferimi i dijeve nga Brukseli këtu në Tiranë. Unë jam besimplotë, që ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe kostot e veta, ashtu sikurse jam i vendosur më shumë se asnjëherë, së bashku me shumicën qeverisëse që të mos cenohet ajo që është projektuar dhe të mos lëkundet ajo që është ndërtuar.
Me besimin që Kongresi Botëror i Ligjit vitin e ardhshëm është stacioni ku ne duhet të shkojmë me një synim dhe program, për të siguruar që në atë kongres nuk merr vetëm një vlerësim, por edhe shfrytëzon praninë e një numri të njerëzve që përfaqësojnë botën e drejtësisë. Ne do të shkëlqejmë në organizimin e kongresit dhe do të bëjmë gjithçka duhet që vitin e ardhshëm të bëjmë progres. Kjo shumicë qeverisëse do të jetë një mbështetje e sigurt për ta dhe nuk do të ndjehen kurrë nën presion, vetëm nën presionin e publikut për të zbatuar reformën në rrënjë”, tha kryeministri Rama.


