Ishin pikërisht 4 pikët e siguruara ndaj tyre, që na dërguan në fazën finale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024 dhe do të kërkojnë sërish fitore, për të kaluar në elitën e futbollit evropian. Bëhet fjalë për Kombëtaren e Çekisë, me “Legjionarët” që realizuan përballje fantastike gjatë kualifikuese dhe tashmë do t’i kenë sërish kundërshtarë, kësaj radhe në Ligën B, të Nations League.
Mirëpo, ndryshe nga hera e fundit, ku në stolin e çekëve ishte 62-vjeçari, Jaroslav Silhavy, tashmë, në duar “frerët”e kësaj Kombëtareje i ka marrë 60-vjeçari, Ivan Hasek, me këtë të fundit, i cili duke komentuar shortin e përfaqësues së tij ka premtuar “hakmarrje”, ndaj “Legjionarëve” tanë, në dy sfidat e grupit B1.
“Sigurisht që do të jemi më shumë të motivuar ndaj Shqipërisë, të gjithë ne do të duam të tregojmë se jemi më të mirë se “Kuqezinjtë”. Ata e treguan forcën e tyre, sidomos në ndeshjen në “shtëpi”. Është detyra jonë t’ua kthejmë reston dhe të marrim gjashtë pikë këtë radhë.
Gjithsesi nuk dua të bëj llogari, ashtu siç nuk kam bërë para shortit. Detyra jonë është e qartë, duhet të japim më të mirën tonë. Grupi është i ekuilibruar, kështu që nuk ka shumë rëndësi se kush luan me kë. Do të jetë betejë në çdo ndeshje”,- u shpreh tekniku i ri i përfaqësueses së Republikës Çeke. /i.m /abcnews.al