Korrupsioni vepër penale apo administrative? Kjo pyetje u shtrua në diskutim në emisionin “Real Story” në ABC News me një panel të ftuarish, juristja Brizida Gjikondi, avokati Edmond Petraj dhe avokati Romeo Kara si edhe analisti Skënder Minxhozi.
Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se i qëndron idesë që për veprën e korrupsionit masa të ashpërsohej.
“Personalisht do të doja që vepra e korrupsionit, masa të ashpërsohej. Edhe ideja që ka hedhur Rama që të bëjmë ministër robotë për të evituar korrupsionin, më duket skandaloze. E thënë nga një kryeministër që nuk merret me vatrën e infeksionit të korrupsionit. Jemi të korruptuar në mënyrën se si funksionojmë dhe se si duhet të pasurohemi”, tha ajo.
Ndërsa avokati Edmond Petraj, gjatë intervistës, tha se kjo masë është kthyer në një çengel që administrata nuk punon dot.
“Unë jam pro ndryshimit. Janë disa elementë sa i përket shpërdorimit të detyrës. Shpërdorimi i detyrës në BE ka tjetër mënyrë se si argumentohet nga vetë BE. E kanë pjesë të kodit penal por më shumë fokusohen tek pjesa e korrupsionit. Unë e shikoj shpërdorimin e detyrës në disa elementë, mund ta shpërdorojë edhe nga paaftësia. BE është e idesë që kjo masë të fokusohet më shumë tek pjesa e korrupsionit. Kjo është një logjikë që patjetër duhet të kemi një përafrim. Kjo masë është kthyer në një çengel që administrata nuk punon dot”, u shpreh ai.

