Ministria e Shëndetësisë tashmë ka lejuar mbushjen në masën 30% të stadiumeve, Vllaznia kërkon më shumë, të paktën për ndeshjen e kthimit ndaj qipriotëve të AEL Limassol.
Shkodranët duhet të përmbysin humbjen minimale në Qipro dhe për këtë u duhet një stadium plot. Para ndeshjes së të enjtes, ata i kanë bërë një kërkesë me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e plotë të stadiumit për ndeshjen e ardhshme.
“Duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, ne do t’ju luteshim që në ndeshjen e datës 29 korrik në orën 21:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të lejohet prania e tifozëve pa asnjë kufizim.
Kjo, duke konsideruar se qyteti i Shkodrës prej kohësh ka arritur tashme një imunizim falë edhe masave të kujdesshme të ndërmarra dhe ecurisë mjaft të mirë të procesit të vaksinimit masiv të popullatës nga ana e MSHMS”, thuhet ndër të tjera në shkresën e klubit shkodran.
Në fakt, duke parë reagimin e rreptë të Ministrisë për praninë e tifozëve në stadiume deri tani, mund ta themi që tani që përgjigja ndaj Vllaznisë nuk do vijë fare, ose do jetë negative, në një kohë kur varianti Delta është konfirmuar dhe rastet po rriten në ditët e fundit. /abcnews.al