Mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Log.” u diskutua mbi partitë e vogla dhe objektivat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, ku nuk mungoi debati mes kreut të PR-së, Fatmir Mediu dhe drejtuesit të Bindjes Demokratike Astrit Patozi.
Mediu tha se cdo votë që nuk përkthehet në mandate shkon në favor të Edi Ramës, ndërsa Patozi me ironi i tha se “kjo bëhet vetëm po hyre në sqetullën e Lulit, po dole nga sqetulla ikin votat e republikanëve”.
Kreu i PR-së i kërkoi Patozit që të matej para se të fliste, pasi nuk “nuk hyj në sqetullat e asnjërit. Kam bërë një koalicion për të larguar një të keqe të madhe”, referuar Edi Ramës.
Debati mes Mediut dhe Patozit
Fatmir Mediu: Kjo është një marrëdhënie pluraliste në raport me këtë sistem elektoral që kemi ne për t’u përballuar me këtë të keqe që kemi.
Astrit Patozi: Nuk po të gjykoj, është zgjedhja jote.
Fatmir Mediu: Nuk dua që asnjë votë e republikanëve të shkoj në favor të Edi Ramës.
Astrit Patozi: Bravo të qoftë, shumë mirë dhe kjo bëhet vetëm po hyre në sqetullën e Lulit, po dole nga sqetulla ikin votat e republikanëve.
Fatmir Mediu: Ore zotëri, e para matu kur flet…
Astrit Patozi: Për cfarë të matem?
Fatmir Mediu: Ti mos më thuaj kam hyrë në sqetull, asgjëkundi, se nuk hyj në sqetullat e asnjërit. Kam bërë një koalicion për të larguar një të keqe të madhe.
Astrit Patozi: Ore ke hyrë në çadër, meqë e paske problem punën e sqetullës.
Fatmir Mediu: As në çadër, as në poture dhe as në sqetull, që ta dish, kam marrë një pozicion në raport me atë që unë mendoj se është e drejtë, largimi i Edi Ramës. Nuk dua që vota e PD dhe PR-së të shkojë në favor të Edi Ramës, pasi cdo votë që nuk përkthehet në mandat shkon në favor të Edi Ramës.
db/ Abcnews.al