TIRANË- Pritjes i erdhi fundi. Kategoria Superiore kthehet në fushë për sezonin 2025/2026 që nis këtë mbrëmje nga “Loro Boriçi” me ndeshjen Vllaznia-Egnatia në orën 20:00.
Në fakt, kjo sfidë është një “déjà vu” e finales së edicionit të kaluar. Atëherë ishte skuadra nga Rrogozhina që triumfoi për të mbrojtur titullin kampion, por që nga ajo ditë shumë gjëra kanë ndryshuar.
Për këtë arsye, ndeshja që do të hapë kampionatin elitar të futbollit në vend do të tregojë shumë edhe për garën e gjatë për trofeun e Superiores.
Pa u goditur ende topi i parë, favoritët duket se do të jenë sërish ata të sezonit të shkuar, përveç Egnatias dhe Vllaznisë, në vijën e parë qëndrojnë edhe Partizani me Dinamo City.
Të katërta këto skuadra vijnë në sezonin e ri pas aventurave krejt të ndryshme në Kupat e Europës.
Pas Partizanit, me radhë u eliminuan Vllaznia dhe Egnatia, ndërsa dinamovitët duhet të luajnë edhe sfidën e kthimit në play off e Conference League.
Për këtë arsye, debutimi i të besuarve të Ilir Dajës në kampionatin e ri me ndeshjen në transfertën e Teutës është shtyrë për në fillim të muajit të ardhshëm.
Krejt I ndryshëm diskutimi për Partizanin, që pas zhgënjimit në Europë dhe ndryshimeve që pasuan atë në pankinë dhe skuadër kërkon të tregojë menjëherë forcën me sfidën e së dielës kundër debutuesve të Vorës.
Prapa katër favoritëve duken skuadrat e tjera, përfshirë edhe Tiranën. Bardheblutë kanë shumë të panjohura, pas revolucionit të radhës në merkato, ku është ndërruar thuajse e gjithë skuadra e vjetshme.
Por përveç titullit kampion, ashtu si në sezonin e shkuar një garë e fortë pritet të jetë edhe ajo për mbijetesën.

