Java e 26-të, spikat derbi Tirana-Dinamo, “luftë” edhe në Laç, Kamëz e Rrogozhinë

schedule11:45 - 14 Mars, 2022

schedule 11:45 - 14 Mars, 2022

Teksa është mbyllur java e 25-të e Abissnet Superiore, menjëherë është zbardhur edhe agjenda e javës së 26-të të kampionatit shqiptar.

Përballje interesante dhe të luftuara, ku do të luhen në fundjavë, të shtunën dhe të dielën.

Të shtunën në orën 13:45 do të luhen dy përballje interesante. Kastrioti-Partizani do të vihen përballë në Kamëz. Demat do të kërkojnë rikthimin te fitorja, ndërsa krutanët tentojnë vazhdimësinë pas fitores ndaj Teutës.

Sfida tjetër është ajo mes Egnatias dhe Vllaznia, që do të luhet në Rrogozhinë në stadiumin “Arena Egnatia”. Shkodranët duan të bëjnë autokritikën pas humbjes në klasiken e Shqipërisë, ndërsa rrogozhinasit e Ramadanit kërkojnë pikët e mbijetesës.

Në orën 16:45 është rezervuar derbi mes Tiranës dhe Dinamos që për shkak të mbylljes së “Air Albania” për punimet që do bëhen për finalen e Conference League, kjo përballje pritet të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Blutë nuk kanë rrugë tjetër përveç 3 pikëve për tu larguar nga zona e ftohtë, ndërsa bardheblutë duan qetësinë për kreun.

Dita e diel ka rezervuar dy takimet e tjera që do të luhen në orare të ndryshme. Në Laç, kurbinasit do të presin Teutën prej orës 13:45, ku të dyja skuadrat kërkojnë fitoren përballë njëra-tjetrës për të mos rrezikuar më shumë në objektivat e tyre.

Takimi i fundit do të luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Kukësit prej orës 16:45. Një përballje interesante mes dy skuadrave, me verilindorët që përballë do të kenë ish-trajnerin e tyre Skënder Gegën, i cili në krye të korçarëve kërkon pikët e mbijetesës.

Ndeshjet e javës së 26-të:

Të shtunën

13:45 / Kastrioti-Partizani / Stadiumi Kamëz

13:45 / Egnatia- Vllaznia / Stadiumi “Arena Egnatia”

16:45 / Tirana-Dinamo / Mbetet të konfirmohet

Të dielën

13:45 / Laçi-Teuta / Stadiumi i Laçit

16:45 / Skënderbeu-Kukësi / Stadiumi Korçë. /f.a/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!