Nuk kanë mandate në parlament, por vijojnë të gëzojnë favoret që kishin prej numrave në parlament.
KQZ do të shpërndajë këtë të hënë, 663 milionë lekë të vjetër, për Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe PDIU-në.
Qeveria ka shkurtuar fondet për partitë pas tërmetit, duke dhënë 500 milionë lekë të vjetër më pak në total. Sipas llogarive të reja, të siguruara nga ABC Neës, PD do të përfitojë rreth 390 milionë lekë (të vjetra), LSI rreth 200 milionë, ndërsa PDIU 74 milionë lekë.
Fondi do të jepet për të përballuar shpenzimet vjetore, sipas ligjit për Partitë Politike. Siç anëtari i KQZ, Bledar Skënderi i tha ABC News, se ligji e lidh financimin jo me qënien ose jo në parlament, por me rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Gjithmonë rezultatet lidhen me zgjedhjet e fundit parlamentare, derisa këto parti politike kanë qenë pjesmarrëse në zgjedhjet e fundit të zhvilluara parlamentare marrin në bazë të vendeve të fituara në kuvend”, tha Bledar Skënderi.
Partia Socialiste do të përfitojë 634 milionë lekë, ndërsa shuma tjetër i jepet Partisë Social Demokrate të Tom Doshit, 53 milionë lekë. /abcnews.al