Do të kalojë një det, por do të mbetet në Lindjen e Largme. Të paktën, kjo është tani për tani situata e Jasir Asanit, yllit të kombëtares shqiptare.
Mediat japoneze dhe ato që i referohen lajmeve nga Japonia shkruajnë se për futbollistin ofensivë është i interesuar klubi i Jokohamës, që ndodhet pranë fundit të renditjes në elitën e futbollit japonez.
Po sipas këtyre mediave, klubi ku ndodhet Asani, Kuangju, nga Koreja e Jugut, është dakord për transferimin, veçse në këmbim të 1 milionë dollarëve amerikanë, afërsisht 145 milionë jen japonezë.
Kuangju shpenzoi 700 000 euro për ta marrë nga Kishvarda e Hungarisë në janar të 2023, ndërsa ndodhet në pozita të vështira edhe sepse kontrata e shqiptarit përfundon në dhjetor të këtij vitit.
Jo vetëm kaq, por klubi koreanojugor është dënuar nga FIFA për shkelje financiare dhe, sipas mediave në vendin e tij, ka humbur deri tani afërsisht 1.7 milionë USD.
Besohet se kjo është një tjetër arsye që Kuangju mund të bjerë dakord të humbasë lojtarin e vet më të mirë.
Gjithsesi, sipas njoftimeve ende nuk ka ofertë zyrtare, ndonëse transferimi mund të ndodhë.
Më parë, për yllin 30-vjeçar u interesuan Jokohama dhe Kobe nga Japonia si dhe Jeonbuk Hjundai nga Koreja e Jugut.
Asani ka një bilanc prej 11 golash e 3 asistësh në 48 ndeshje në kampionat, ndërsa shkëlqimin më të madh e pati këtë sezon në Championsin e Azisë me 9 gola e 1 asist në 10 ndeshje, duke arritur çerekfinalen, ndonëse sapo debutoi në këtë konkurrim.
Pikërisht në Ligën e Kampionëve të Azisë, ai shënoi 3 gola në portën e Jokohamës, gjë që e bëri klubin japonez të mendonte seriozisht për ta marrë./abcnews.al

