Japonia mund Kolumbinë

schedule17:09 - 19 Qershor, 2018

schedule 17:09 - 19 Qershor, 2018

Japonia përfitoi nga epërsia numerike, duke mundur Kolumbinë në grupin H të Botërorit. Kolumbianët luajtën me 10 lojtarë thuajse gjatë gjithë takimit.

Askush nuk ka dëshirë që të ndodhë, por nuk mund të shmangej. Një Kupë Bote ka edhe kartonë të kuq dhe i pari në Rusi u dha pikërisht në stadiumin e Saranskut, ku Japonia përfitoi maksimalisht.

Aziatikët mposhtën 2-1 Kolumbinë, e cila u detyrua të luante me 10 lojtarë për 86 minuta, plus shtesat, pasi Carlos Sanchez u përjashtua nga loja. E nisi mrekullisht ndeshjen e grupit H, duke fituar penallti që në minutën e 4-t e duke kaluar në epërsi në të gjashtën minutë, me golin e Kagawa-s.

Gjithsesi, nuk diti të përfitonte në kohë për të mbyllur takimin, pasi në një pjesë të parë tepër të fortë, Kolumbia s’pranoi dorëzimin. Pas disa rasteve në të dyja portat, amerikanojugorët barazuan.

Goli i Quinteros zuri në befasi portierin Kauashima, pasi përfitoi nga gabimi i lojtarëve që krijuan murin përpara tij. Pas pushimit, kolumbianët nuk u ndihmuan as nga aktivizimi i yllit të tyre kryesor, James Rodriguez, që e nisi ndeshjen nga stoli.

Lodhja, duke qenë në inferioritet numerik bëri të vetën. Pas disa rasteve radhazi, Japonia shënoi edhe golin e fitores, duke marrë një sukses të rëndësishëm.

Nuk qëllon shpesh që një ekip nga Azia të mposhtë një nga Amerika e Jugut, aq më shumë Kolumbinë që u paraqit shumë mirë 4 vjet më parë në Brazil. Drejtuar nga një trajner vendas si Akira Nishino. Japonia mori tri pikët e para në grupin H, duke qenë me shpresë për kalimin e turit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!