Japonia dyfishon shpenzimet e mbrojtjes për shkak të kërcënimeve nga Pekini, Pheniani dhe Moska

schedule16:27 - 8 Gusht, 2024

schedule 16:27 - 8 Gusht, 2024

Ndërsa Japonia shënoi këtë javë 79-vjetorin kur qytetet e Hiroshimës dhe Nagasakit u shkatërruan nga bombat bërthamore në fund të Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët japonezë kanë ritheksuar qëllimin e tyre për të çliruar botën nga armët bërthamore. Por siç njofton nga Tokio korrespodenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell tani Japonia po pëson ndryshime të mëdha sa i përket fuqisë ushtarake mes kërcënimeve të shumta rajonale si dhe po kërkon edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Në orën 8:15 të mëngjesit të së martës, koha e saktë kur bomba bërthamore shpërtheu 600 metra mbi qytetin e Hiroshimës më 6 gusht të vitit 1945, Japonia mbajti një minutë heshtje për të kujtuar atë ngjarje të tmerrshme.

“Është misioni i Japonisë, i vetmi vend që ka vuajtur pasojat e luftës bërthamore, për të përcjellë realitetin e këtyre bombardimeve tek brezat e ardhshëm”, tha Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida.

Mënyra se si përfundoi lufta dhe pranimi i humbjes ndryshoi Japoninë, duke nxitur tek njerëzit një ndjenjë të fortë kundër luftës dhe fuqisë ushtarake që zgjati për disa breza.

Por analistët thonë se ky perceptim mund të ndryshojë, pasi vendi përballet me kërcënime të shumta rajonale.

“Tani vendi po përballet me programet e Koresë së Veriut për prodhimin e raketave me mbushje bërthamore, manovrat e ushtrisë kineze, pretendimet territoriale në Detin e Kinës Lindore dhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak të Rusisë me Kinën në dy vitet e fundit”, thotë Yee Kuang Heng, nga Universiteti i Tokios.

Këto kërcënime nxitën Japoninë që vitin e kaluar të merrte vendimin për dyfishim të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, duke e çuar të në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2027.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Japonisë, njoftuan një përforcim të komandës së tyre ushtarake në vend. Tokio ka kërkuar vazhdimisht garanci nga Shtetet e Bashkuara mbi gatishmërinë për të mbrojtur Japoninë.

“Ata kanë pasur gjithmonë dyshime për angazhimin amerikan për të përdorur të gjitha forcat për t’i mbrojtur ata. Dhe kjo përfshin edhe përdorimin e armëve bërthamore, një kërkesë që duket paradoksale kur mendon për kudërshtimin që kanë patur japonezët ndaj armëve bërthamore”, thotë Grant Newsham nga Qendra për Politikat e Sigurisë.

Për dekada, fqinjët aziatikë nuk kishin marëdhënie të ngushta me Japoninë, por kjo gjithashtu po ndryshon, thonë analistët.

“Vendet si Filipinet, së fundmi kanë nënshkruar marrëveshje shumë të rëndësishme ushtarake me Japoninë. Ky është vendi i parë aziatik që e bën këtë me Japoninë. Koreja e Jugut, veçanërisht nën Presidentin Yoon Suk Yeol, ka shqyrtuar mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve largpamëse me Japoninë”, thotë Yee Kuang Heng nga Universiteti i Tokios.

Por, 79 vjet pas asaj që ndodhi në Hiroshima dhe Nagasaki, a është populli japonez gati të bëhet edhe një herë fuqi ushtarake?

“Ka një ndryshim të madh edhe në opinionin publik në vendin tim. Ne jemi ndoshta të ngadaltë, por ne gjithmonë shkojmë përpara”, thotë Kunihiko Miyake, President i Institutit për Politikën e Jashtme.

Duke iu përgjigjur ndryshimit të qëndrimit ushtarak të Japonisë, Kina muajin e kaluar tha se Tokio duhet “të reflektojë seriozisht mbi historinë e saj të agresionit”. Analistët thonë se Japonia po përballet me kërcënime të shumta dhe se Kina nuk është kërcënimi i saj i vetëm./VOA

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!