James O’Brien emërohet Ndihmës Sekretar i Shtetit për Europën

schedule11:15 - 5 Tetor, 2023

schedule 11:15 - 5 Tetor, 2023

Senati amerikan konfirmoi emërimin e James O’Brien si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë. 67 senatorë votuan pro ndërsa kundër 31 senatorë, njoftoi Senati.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë kryeson Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike dhe, ndër të tjera, do t’i raportojë të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999. Që nga viti 2022, Jim O’Brian punoi si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

O’Brien është gjithashtu anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ka studiuar frëngjisht dhe rusisht.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!