James Mattis: Kina dhe Rusia kërcënim në rritje për SHBA-në

schedule19:18 - 19 Janar, 2018

schedule 19:18 - 19 Janar, 2018

Pentagoni ka prezantuar strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare. Sekretari i Mbrojtjes, Xhejms Metis, theksoi se lufta kryesore e Shteteve të Bashkuara është kundër kërcënimit në rritje që vjen nga Kina dhe Rusia. Ndërsa lufta kundër terrorizmit nuk shikohet me prioritet.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, prezantoi për herë të parë Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2018. Duke folur në Universitetin “Xhon Hopkins” në Baltimore, Sekretari i Mbrojtjes, Xhejms Metis, nënvizoi se prioritet për SHBA-në do të jetë përballja me “kërcënimet në rritje” nga Kina dhe Rusia. Gjithashtu paralajmëroi se avantazhet e ushtrisë amerikane kanë rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

James Mattis, sekretar i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së: “Ne përballemi me kërcënime në rritje nga fuqitë revizioniste aq të ndryshme nga njëra-tjetra siç janë Kina dhe Rusia, vende që kërkojnë të krijojnë një botë që është në përputhje me modelet e tyre autoritare, duke ndjekur autoritetin e vetos mbi vendimet ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë të vendeve të tjera”.

Pavarësisht se nënvizoi se militantët islamikë do të vazhdojnë të jenë një kërcënim, shefi i Pentagonit tha se lufta kundër terrorizmit nuk do të jetë në qendër të strategjisë për sigurinë kombëtare të Amerikës. Gjithashtu i bëri thirrje Kongresit që të financojë ushtrinë në mënyrë adekuate dhe të përmbahet nga shkurtimet në buxhetin federal të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar qartësisht Rusisë, Metis paralajmëroi për “kërcënime të cilat mund t’i bëhen eksperimentit amerikan në demokraci”. “Nëse na sfidon, do të jetë dita më e gjatë dhe më e keqe”, u shpreh ai.

Ky qëndrim i Shefit të Pentagonit vjen për shkak të hetimeve të shumta që zhvillohen në SHBA për dyshimet se ekipi i fushatës së Trump ka bërë marrëveshje të fshehtë me Rusinë dhe për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Metis gjithashtu listoi Korenë e Veriut midis prioriteteve kryesore të Pentagonit, duke përmendur nevojën për t’u përqendruar në sistemin e mbrojtjes raketore të SHBA kundër kërcënimit nga Peniani. Ndërkohë, në strategjinë amerikane të Mbrojtjes Kombëtare nënvizohet se “përtej armëve të saj bërthamore, Koreja e Veriut ka grumbulluar edhe një arsenal të armëve biologjike, kimike dhe konvencionale”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!