Franck Kessie tashmë do të mbajë veshur fanellën e Barcelonës për sezonin e ri. Katalanasit kanë tashmë në gjirin e tyre një mesfushor me eksperiencë të cilin Xavi Hernandez do e ketë pjesë të formacionit.
Pikërisht ky i fundit është njeriu që e ka bindur mesfushorin nga Bregu I Fildishtë të pranojë transferimin te Barcelona dhe këtë e pranon vetë Kessie duke folur për mediat spanjolle.
“Është një mundësi e madhe, pasi tani jam pjesë e një skuadre të madhe dhe jam shumë i lumtur. Kur të telefonon Xavi, që ka qenë një futbollist i madh, kupton se të gjithë përpjekjet e tua ia kanë vlejtur. Është e pamundur të refuzohet”, u shpreh Kessie.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë shmangu komentet në lidhje me pozicionin e tij në fushë, teksa zbuloi se idhulli i tij është një ish-futbollist i Barcelonës si Yaya Toure.
“Xavi do të dijë të më vendosë në pozicionin e duhur në fushë, në mënyrë që të ndihmoj sa më shumë skuadrën, ndaj për këtë nuk jam i shqetësuar. Idhulli im te Barcelona është Yaya Toure, me të cilin kam luajtur te Bregu i Fildishtë dhe dua shumë të eci në gjurmët e tij”, deklaroi Kessie. /f.a/abcnews.al