Në vijim të fjalës së saj në seancë plenare, zëvendës kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku demokratëve, të cilët, u larguan nga salla, Balluku i kujtoi stardartet me të cilat komentojnë punën e SPAK. Ndërsa i cilësoi personale sulmet e orkestruara të opozitës.
“Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që ndiqni nga kafja e parlamentit në këto momente, keni dy standarde përsa i përket reformës në drejtësi dhe përsa i përket SPAK-ut. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukamfshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi për një vrasje shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK-u ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK-u thërret Sali Berishën dhe e mban me arrest shtëpie përditë e përmuaj dhe më pas kur sot është i pandehur në GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë atëherë Edi Rama e ndikon SPAK-un, por kur sipas jush SPAKU merret me maxhorancën atëherë ju bëheni martirët e drejtësisë, bëheni britma e klithma e saj.
Deputetë opozitarë, detyra e një opozite është oferta politike e saj, ndryshe nga oferta politike e maxhorancës, rotacionin që kaq shumë e doni nuk mund ta bazoni me pathos se kë do të kap SPAK-u nga maxhoranca. Jeni kthyer në një tifozeri sedentare që i lutet Zotit aman ti heq SPAK-u këta që të vijmë ne, por rotacioni bëhet me votë dhe jo me lutje e duartrokitje.
Sot Buxheti 2026 që prezantohet në këtë sallë, është premtimi i mbajtur i ofertës politike të Edi Ramës. Kush është alternativa juaj? Çfarë i ofroni ndryshe shqiptarëve? Partia Socialiste është e vetmja parti që ka një ofertë politike sot për vendin. Ju keni emrin Partia Demokratike, por me demokracinë brenda partisë nuk keni lidhje, tek ju për të qenë pranë Faraonit Sali duhet të jesh humbës, duhet të mos kesh formë, shtyllë kurrizore, duhet të jesh kameleon që ndryshon madje qëndrim politik brenda 24 orëve.
Është normale ndoshta për llojin tuaj që të bëni këtë lloj opozite, që për të thënë të drejtën nuk është se nuk na vjen përshtat, por jo, edhe ne do të dëshironim një opozitë më të mirë, një opozitë serioze, një opozitë që nuk e ka luftën personale me askënd, por e ka luftën ideologjike.
Ja që nuk e kemi këtë mundësi dhe unë personalisht e kam shumë të qartë pse jam nën një sulm personal që nuk më ka nisur as sot, as ditën që shkova në SPAK, por ka kohë që më ka nisur, pasi ju nuk e falni, as suksesin politik edhe as njeriun që punon, madje ju nuk i falni mata që dallojnë as brenda radhëve tuaja, pa përjashtuar askënd nga ky krah. Ju nuk falni 8 humbje në 12 vitet e fundit dhe ju përmes sulmeve personale ndaj secilit prej nesh, padyshim mbuloni dështimin tuaj.
Dëgjova këtu një thirrje pak më parë dhe më bëri shumë përshtypje, dikush u ngrit nga radhët tuaja dhe tha të mos merremi me familjarët, seriozisht, kur e vendosët këtë akt etik. Na njoftoni edhe ne, sepse ju nuk merreni thjesht me familjarët, ju keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore e nëpër parlamente. Unë me shumë prej jush jam përballur politikisht dhe jam përballur në fushë betejë aty ku duhet të dalin dhe të përballen burrat dhe shumë prej jush i kam ulur në gjunjë.” tha Balluku./abcnews.al

