U duk sikur fitorja kundër Genoas do ta shpëtonte stolin e tij, por nuk është kështu. Marco Giampaolo pret shkarkimin nga stoli i Milanit nga momenti në moment. Drejtuesit kanë marrë një vendim dhe e ardhmja e kuqezinjve quhet Luciano Spaletti.
60-vjeçari refuzoi opsionin Milan disa ditë më parë, ku ndër të tjera bënte thirrje për t’i dhënë besim trajnerit Giampaolo. “Unë te Milani? Hipoteza të egra. Kam një kontratë me Interin. Ta lëmë Giampaolo-n të punojë, ai është yll që po rritet në futbollin italian“, shprehej Spalleti.
Gazetari Gianluca Di Marzio raporton se ish-trajneri zikaltër ka kthyer përgjigje pozitive dyshes Maldini-Boban dhe tani duhet zgjidhur pjesa ekonomike me Interin. Spalletti u shkarkua në fund të sezonit të kaluar, por kontrata e tij me zikaltrit përfundon në vitin 2021.
Ai përfiton një rrogë prej 4.5 milionë eurosh në sezon. Ndarja me Interin nuk shkoi ashtu siç pritej, por tani do i duhet të gjejë një akord me ish-klubin, për të vazhduar më pas aventurën e re në anën kuqezi të qytetit të Milanos. /abcnews.al