Kryeministri Edi Rama ka çelur sezonin e pestë të podcast-it “Flasim” me një bisedë të ngrohtë dhe personale me Ogerta Manastirliun, kandidaten e PS për Bashkinë e Tiranës. Në këtë episod, Manastirliu rrëfeu për herë të parë historinë e dashurisë me bashkëshortin që prej gjimnazit, jetën familjare dhe sfidat e të qenit nënë e angazhuar në politikë.
Ajo foli për sakrificat që ka kërkuar rruga e saj profesionale, mbështetjen nga bashkëshorti dhe prindërit, si dhe balancën që përpiqet të ruajë mes karrierës dhe familjes. “Kur nuk jam unë, është ai. Kur nuk është ai, jam unë”, tha ajo, duke theksuar harmoninë dhe ndarjen e përgjegjësive në familje.
Manastirliu pranoi se është shpesh në borxh me të afërmit për mungesën e kohës, por theksoi se “sakrifica ia vlen, kur ke përballë një mision më të madh t’i shërbesh të tjerëve”.
Ogerta Manastirliu: Me Ermalin jam dashuruar kur ishim në gjimnaz. Kemi ndërtuar jetën tonë së bashku. Kemi dy vajza.
Edi Rama: Po kur i thatë “po” njëri-tjetrit?
Ogerta Manastirliu: I thamë në 2005-ën, që do të thotë 20 vjet më parë. U martuam.
Edi Rama: Pasi mbaruat shkollën. Po gjatë kohës që ishit si të intimuar, familja e dinte?
Ogerta Manastirliu: Po, e dinte. Familja ime ka qenë e hapur, mirëkuptuese.
Edi Rama: E merrje ti, për shembull, Ermalin në shtëpi?
Ogerta Manastirliu: Jo deri aty, jo; por pastaj po, edhe përpara martesës e kam marrë.
Edi Rama: Shkoje ti te shtëpia e atij?
Ogerta Manastirliu: Shkoja, po; se ishim ok dhe nuk kishim ndonjë pengesë.
Edi Rama: Kur u bëre mami?
Ogerta Manastirliu: U bëra mami po në të njëjtin vit që ne vendosëm të martoheshim. Nuk e bëmë me plan, por ndodhi; erdhi Altea. Kurse Emili erdhi në 2009-ën, dhe më pas… Ajo që mund të them për familjen tonë të vogël: dëshira ndoshta e jona është që të ishte edhe pak më e zgjeruar.
Edi Rama: Eksperienca ime tregon se ka kohë gjithmonë; edhe eksperienca e bashkëvuajtëses sime…
Ogerta Manastirliu: Ka kohë, them dhe unë gjithmonë; por gjithsesi çdo gjë është në kohën e duhur.
Edi Rama: Por e kuptoj që ky vendim është kryesisht në shpatullat e pjesës femërore…
Ogerta Manastirliu: Ekzakt; dhe duhet t’i bëj çdo gjë unë. Kam përshtypjen që gjithë ky rrugëtim dhe intensitet më ka bërë të kuptoj që çdo gjë duhet të ketë kohën e vet. Ti mund të bësh shumë gjëra, por nëse nuk i jep kohës vetë kohë, është njësoj sikur të mos e kesh jetuar fare. Kështu që edhe marrja e vendimit për të pasur një familje më të madhe kërkon të kesh kohë për t’u përkushtuar dhe për t’u dedikuar atyre. Koha ime, kryesisht, ka qenë shumë e limituar edhe për veten time, edhe për familjen time për arsye të këtij rrugëtimi që unë kam pasur. Për të thënë të vërtetën, familja ime e vogël, por edhe ajo e madhe nuk i ndaj dot është forca ime e madhe. Ermali është padyshim kolona ku mbështetem dhe ku gjej atë prehjen, sepse më ka lehtësuar shumë edhe nga ato angazhime; së bashku, sigurisht, edhe me prindërit tanë, nga ato angazhime që unë duhet t’i kisha si nënë në raport me vajzat. T’u shërbesh të tjerëve është një mision dhe unë e quaj të tillë; por shërbimi fillon në familje dhe pastaj ti aty mësohesh si të shërbesh. Dhe unë besoj, në kuptimin edhe të asaj që unë kam jetuar si vajzë në familjen e vajzërisë, por edhe këtu, që gjithmonë kryefjala jonë ka qenë puna dhe puna e bërë me njëri-tjetrin. Pra, nuk i kemi pasur ato rolet shumë të definuara siç janë disa familje, të themi, klasike që mami duhet të bëjë këtë, babi duhet të bëjë atë. Tek pjesa e familjes time, mamit e babit, të vajzërisë, ne i kemi parë gjërat si: si të ndihmojmë njëri-tjetrin, si t’i bëjmë gjërat pak rëndësi ka kush i bën ato. E njëjta gjë na ndodh edhe këtu, edhe me Ermalin: e komplementojmë njëri-tjetrin.
Kur nuk jam unë, është ai; kur nuk është ai, jam unë; kur s’jemi ne, është mami.
Edi Rama: Unë e di mirë se ç’është për gruan ta ketë burrin kryetar bashkie, kryeministër; e di shumë mirë ç’do të thotë. Është një peshë, edhe një sakrificë që askush nuk e kupton s’i kërkohet ta kuptojë. Unë përpiqem deri diku ta kuptoj, por jam i bindur se as unë s’e kuptoj deri në fund se çfarë peshe është. Por si është për burrin që ka gruan në një detyrë që të kërkon shumë kohë, shumë energji dhe unë e di nga puna e përbashkët që ti nuk je një njeri orari që shkon në punë në 8 dhe në orën 4 mbyll derën. Kështu që si e përballon “bashkëvuajtësi” këtë?
Ogerta Manastirliu: Do ishte mirë të merrnit ndonjë “bashkëvuajtës” këtu për ta kuptuar tamam, ta thoshte; por, në pamundësi për të qenë…
Edi Rama: Nuk kam asnjë lloj kurajo ta bëj këtë, sepse jam fajtori kryesor unë në këtë punë, kështu që s’kam asnjë kurajo ta bëj këtë përballje…
Ogerta Manastirliu: Nuk flas dot për të, për sakrificën që atij i duhet të bëjë nga pikëpamja e kohës kur unë nuk jam në shtëpi.
Edi Rama: Nuk është vetëm koha; janë edhe shumë angazhime. Megjithëse tani vajzat janë rritur.
Ogerta Manastirliu: Vajzat janë rritur dhe janë bërë edhe kritizerë të mëdha tonat. Ndonjëherë, kur nuk të kanë pranë dhe e shikojnë pak edhe me cinizëm faktin që ti nuk je aty: “Po për çfarë po përkushtohesh? Pse nuk je me ne?” Dhe, në fakt, për të thënë të vërtetën, ato – edhe pse “të vogla” tashmë Altea bën 20 vjeç, Emili është 16; janë mjaftueshëm të mëdha për të kuptuar çfarë ndodh, për të kuptuar shumëçka dhe për të më dhënë sugjerime dhe për të më bërë kritikat e nevojshme.
Altea është 20, studion për arkitekturë në Universitetin Politeknik; Emili është në vit të dytë në gjimnaz. Ndërkohë që në familjen tonë të vogël kemi shumë diskutime, dhe kjo është një temë diskutimi: pra, sakrifica që babi ka bërë, në fakt, edhe në aspektet…
Edi Rama: E thonë këto?
Ogerta Manastirliu: E thonë ato, patjetër. Sigurisht, në familje kemi edhe diskutime të tjera, kemi edhe debate, por kemi edhe dilemat tona ndonjëherë, që janë edhe shumë të forta. Por, në tërësi, jemi përpjekur që të gjejmë arsyen e mirë, përtej asaj që ndodh, për të thënë se ia vlen të bëhen sakrifica edhe në raport me atë që ne duhet të lëmë si njerëz dhe si qytetarë në këtë vend. Dhe besoj se kjo më ka bërë mirë jo vetëm mua; sepse unë nuk besoj se do të isha dedikuar dot “në orë e pa orë” nëse nuk do të kisha një familje që më mirëkuptonte kaq shumë; dhe sigurisht që jam gjithmonë në borxh me ta me gjithë familjen, me Ermalin të parin, me timen më, me vajzat sigurisht, dhe me të gjithë, edhe me shokët edhe me miqtë sepse kjo punë, edhe kjo jetë, të bën pak të izoluar, të bën pak të distancuar; jo me dashje, por sepse kështu është: të duhet të angazhohesh shumë te punët që të takon t’i bësh./abcnews.al

