Shumë njerëz janë bllokuar në vende të ndryshme prej koronavirusit dhe nuk mund të kthehen në shtëpi. Një prej tyre është Mauro German Camoranesi, ish-lojtari i Juventusit dhe ish-kampion bote me Italinë në vitin 2006. 43-vjeçari drejton si trajner skuadrën sllovene të Tabor Sezana dhe është bllokuar në këtë shtet. Camoranesi tregon për DAZN gjendjen e vështirë dhe si e shtyn kohën.
“Kampionati është pezulluar dhe gjithçka është mbyllur, qendrat sportive dhe stadiumet. Kam mbetur në Slloveni me 4 anëtarë të stafit tim teknik, ndërsa lojtarët janë të izoluar në shtëpitë e tyre. Jemi të gjithë pak të hutuar. Me familjen time në Argjentinë komunikoj me mesazhe.
Kufiri me Italinë është mbyllur, nuk kam mundësi për t’u rikthyer në shtëpinë time në Torino. Nuk mund të bëj as aktivitet sportive, kam dëmtuar këmbën tre ditë më parë. E shtyj kohën duke parë video ndeshjesh dhe duke dëgjuar muzikë”, deklaron Camoranesi. /abcnews.al