Jakup Krasniqi i zhgënjyer nga juristët e Hagës: Po akuzohem mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë

schedule15:32 - 10 Maj, 2022

schedule 15:32 - 10 Maj, 2022

Akuza të mbështetura mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë, kështu i ka cilësuar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi pretendimet që janë ngritur mbi të.

Deklaratat, Krasniqi i bëri sot në seancën e Gjykatës Speciale në Hagë. Ai u shpreh ndër të tjera se nuk do ta kishte besuar faktin që juristë të shkolluar në vende me demokraci liberale, “të ngrenë akuza bazuar në gënjeshtra.”

Akuzat, sipas tij, janë goditje ndaj një populli që ka kërkuar liri dhe shtetndërtim.

“Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar sikur mos të ishte ky rast, se juristë të shkolluar në vende me demokraci liberale, me traditë që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrenë një akuzë që mbështetet vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cënon rëndë jetën, lirinë dhe të drejtën e individit.”

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Këta të fundit e deklaruan veten të pafajshëm. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!