Jakov Milatoviç betohet si President i Malit të Zi

schedule14:10 - 20 Maj, 2023

schedule 14:10 - 20 Maj, 2023

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviç bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit.

Millatoviç e bëri betimin në inaugurim para deputetëve dhe të ftuarve të shumtë.

Në mesin e të ftuarve janë liderët e vendeve të rajonit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç dhe Zheljko Komshiç.

Në inaugurim marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit, përcjell KosovaPress. Asambleja përfshin të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.

Seanca e Kuvendit filloi me himnin kombëtar të Malit të Zi.

Milatoviç zëvendësoi Milo Gjukanoviçin në postin e presidentit, i cili ishte në atë pozitë që nga viti 2018. Milatoviç fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, të mbajtur më 11 prill, në të cilat ai fitoi gati 60 për qind të votave.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të miratuar më 22 tetor 2007, presidenti i vendit zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta për pesë vjet.

Millatoviç është presidenti i katërt i Malit të Zi që nga vendosja e sistemit shumëpartiak./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!