Si shërbimet sekrete mund të ndihmojnë në parandalimin e pandemive të ardhshme

schedule09:39 - 20 Shtator, 2021

schedule 09:39 - 20 Shtator, 2021

Nga Scott Gottlieb, The Washington Post

Shtetet e Bashkuara, mund të ishin përgatitur më mirë për të parandaluar koronavirusin e ri, dhe mund të jenë më të përgatitur për pandeminë e ardhshme vdekjeprurëse. Qeveria ka shumë mjete të tjera në dispozicion për të menaxhuar shpërthimet epidemike në të ardhmen. Viti i fundit tregoi se është koha për t’i përdorur ato. Për shumë vite, ne i kemi trajtuar në përgjithësi masat kundër pandemive si një çështje shqetësuese vetëm për agjencitë e shëndetit publik. Ne jemi mbështetur tek këto të fundit, për të mbikëqyrur shpërthimet e reja epidemike në pjesë të tjera të botës, dhe kemi mbledhur informacione që mund të ndihmojnë përgatitjet e Amerikës për përballimin e situatës.

Por herë pas here, shumë vende i kanë fshehur shpërthimet e rrezikshme epidemike. Por edhe kur këto ngjarje janë bërë të dukshme, SHBA-ja e ka pasur shumë të vështirë të mbledhë të dhënat e nevojshme për të siguruar një përgjigje efektive.

Në rastin e koronavirusit, Kina nuk i ndau informacionet më jetike të mbledhura nga përvoja e saj fillestare me virusin. Drejtuesit atje e dinin shumë më herët sesa kur e konfirmuan zyrtarisht, se një virus i ngjashëm me SARS-in po qarkullonte në provincën Hubei, se ai përhapej përmes pacientëve simptomatikë, dhe se kishte një transmetim të shumë-përhapur midis njerëzve.

Ky informacion mund të kishte bërë diferencën, por ne nuk kishim qasje në të. Dhe shumë nga gabimet që bëmë në fillim të vitit të kaluar, burojnë nga ajo mungesë vëmendje. Shtetet e Bashkuara bënë shumë hapa të gabuar, përfshirë dështime të theksuara në udhëheqje, edhe pasi këto fakte u bënë të ditura.

Por ndarja e hershme e të dhënave dhe njohurive të tjera jetike, mund t’i kishin paralajmëruar me shpejt ekspertët tanë të shëndetit publik për kërcënimin që paraqiste koronavirusi, duke na ndihmuar kësisoj të hartonim një përgjigje më të mirë. Në fillim, edhe javët kanë shumë rëndësi.

Koha e vlefshme u humb për shkak të ndërgjegjësimit të dobët mbi situatën. Por për të mbledhur menjëherë këtë lloj informacioni, ne nuk mund të mbështetemi vetëm tek agjencitë e shëndetit publik, dhe mjetet e tyre të bashkëpunimit ndërkombëtar në vatrat e nxehta të njohura.

Qeveria amerikane, zotëron kapacitetet e duhura për të mbledhur fakte epidemiologjike, edhe në rastet kur kombet e tjera nuk duan që t’i ndajnë ato. Përdorimi i shërbimeve sekrete dhe i aseteve për të monitoruar shpërthimet epidemike, do të çonte përpara synimet tona në fushën e shëndetit publik, dhe do të na mbronte me mirë nga kundërshtarët, që mund të përpiqen të shfrytëzojnë kaosin e shkaktuar nga një krizë shëndetësore.

Qeveria amerikane ka bërë në të shkuarën përpjekje, për të kapërcyer hendekun midis shërbimeve tona të inteligjencës dhe agjencive të shëndetit publik. Kur ekipi i sigurisë kombëtare të administratës Obama, hartoi Axhendën e Sigurisë Globale të Shëndetit në vitin 2014, ai vendosi qëllimisht bashkë fjalët “shëndet” dhe “siguri”, si pjesë e një përpjekjeje për të afruar autoritetet e sigurisë kombëtare me ato të shëndetit publik.

Ky veprim ngjalli debate midis të dyja kampeve, ku secili u shqetësua se kjo gjëdo të degradonte funksionet e tyre kryesore. Ajo mosmarrëveshje paratha sfidat me të cilat u përball vendi vitin e kaluar,me integrimin e agjencive të sigurisë kombëtare si Departamenti i Mbrojtjes në përgjigjen ndaj koronavirusit.

Në ditët e para të pandemisë, departamenti iu rezistoi thirrjeve për të ri-programuar burimet

e me synim përqendrimin tek lufta ndaj virusit. Disa zyrtarë në Pentagon, thanë se roli i ushtrisë ishte të luftonte kërcënimet biologjike të qëllimshme, dhe jo një patogjen që shfaqet natyrshëm.

Rezultati është se asnjë organ qeveritar nuk e kreu plotësisht misionin e mbrojtjes së atdheut nga koronavirusi. Zyrtarët e sigurisë kombëtare, besonin se rolin kryesor në këtë luftë e kishin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, por CDC-së i mungonte kultura, autorizimi i qartë nga Kongresi, dhe mbi të gjitha burimet për t’iu reaguar ndaj një krize të këtyre përmasave.

Po ashtu CDC nuk mundi të vlerësonte si duhet rrezikun, në rastin kur homologët kinezë nuk donin të bashkëpunon. Kjo qasje e bëri atë të paaftë për të ndërmarrë përpjekjet e duhura gjithëpërfshirëse logjistike, për të organizuar një përgjigje të brendshme, siç ishin testimet masive.

CDC ka një qasje retrospektive, ajo kthehet pas në kohë për të kryer analiza të kujdesshme të infeksioneve të njohura. Por nuk është e aftë në mbledhjen dhe shkëmbimin në kohë reale të të dhënave të pjesshme, të cilat mund të orientojnë një vendimmarrje të caktuar.

Ndërkohë komuniteti i inteligjencës, ka aftësi të fuqishme për të bërë vlerësime mbi informacionet jo shumë të sigurta, gjë që e bën atë shumë më të aftë në parashikimin e ngjarjeve dhe tendencave. Ajo që na duhej vitin e kaluar, ishte diçka e ngjashme me një Komandë të Përbashkët të Operacioneve Speciale për gjenerimin e informacionit, analizës dhe koordinimit të zbatueshëm. Në vend të saj, ne kishim në krye të punëve vetëm CDC, një agjenci që funksionon si një departament akademik i shëndetit publik.

Pandemia e Covid-19 i ka shtuar sfidat. Kundërshtarët e SHBA-së, e dinë tani se një nga mënyrat për ta dëmtuar Amerikën, është përmes përhapjes së një virusi të frymëmarrjes. Përhapja e koronavirusit nuk ishte një veprim i qëllimshëm, por përhapja masive e patogjenit tjetër të frymëmarrjes mund të jetë i tillë.

Grupimet kundërshtare të Amerikës,e shohin tashmë se patogjenët e frymëmarrjes mund të kenë efekte të përafërta me armë bërthamore. Viruset janë shumë më të arritshëm se sa uraniumi i pasuruar, më të lehta për t’u inxhinieruar, dhe më të afta për të shkaktuar shkatërrime në masë.

Dikur ekspertët e shërbimeve sekrete,mendonin se një grup terrorist ose shtet-komb, nuk do të kishte mundësinë që ta përdorte si një armë një patogjen të frymëmarrjes si gripi, pasi ai mund të përhapej po aq lehtë kundër tyre. Pandemia mund ta ketë ndryshuar mënyrën e mendimit.

Koronavirusi dëmtoi shumë më tepër Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij,sesa shumë pjesë të tjera të botës. Demokracitë perëndimore, sidomos Amerika, u sfiduan në mënyrë unike në zbatimin e masave paraprake, duke marrë masa kolektive si mbajtja e maskave dhe promovimi i vaksinimit.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm për sëmundjet e lëshuara qëllimisht. Ne duhet të përfshijmë asetet tona të shërbimeve sekrete,në mbrojtjen kundër rreziqeve të ngjashme nga natyra. Lista është e gjatë, por ato që kërkojnë fokusin tonë më të madh janë viruset ARN të frymëmarrjes – jo vetëm gripi apo koronaviruset, por e gjithë kategoria e patogjenëve të frymëmarrjes.

Këto viruse mund të pësojnë mutacione të shpejta kur përballen me një presion selektiv, dhe mund të përshtaten për të kërcënuar njerëzit në mënyra të paparashikuara, përfshirë shmangien e barnave dhe vaksinave tona. Komuniteti i inteligjencës ka qasje në burime alternative të të dhënave – sinjale, satelitë dhe asete njerëzore -të cilat mund të zbulohen dhe ndahen me diplomatët, për të na paralajmëruar për një sëmundje në zhvillim. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Scott Gottlieb, anëtar i‘American Enterprise Institute’, dhe autori i librit “Përhapja së pakontrolluar:Pse na dërrmoi Covid-19, dhe si mund ta mposhtim pandeminë tjetër”. Ai ka qenë me herët komisioneri i 23-të i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA.