Nga Alisa Zemlyanskaya “The Insider”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Pas fillimit të një lufte në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, në Rusi është shtuar ndjeshëm numri i aksidenteve hekurudhore, teksa edhe zyrave të rekrutimit ushtarak po u vihet zjarri në mbarë vendin. Grupimet klandestine që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës, kanë marrë përgjegjësinë për daljen nga shinat të vagonëve të trenave.
Ata kanë postuar në rrjetet sociale video të tyre, duke hedhur kokteje molotov mbi qendrat e rekrutimit ushtarak. “The Insider” bisedoi me disa nga ato grupe guerile, për të zbuluar se si është organizuar rezistenca e nëndheshme, dhe pse decentralizimi e bën atë shumë efektive.
Që nga fundi i shkurtit, ka pasur të paktën 23 sulme ndaj zyrave të rekrutimit ushtarak në Rusi, 20 prej të cilave sulme me zjarrvënie. Vitin e kaluar nuk ka pasur incidente të ngjashme. Më së shumti janë përdorur koktejet molotov.
Udhëzimet se si të përgatiten ato u shpërndanë përmes mediave sociale. Këto zjarrvënie, nuk ishin pjesë e një fushate të vetme të koordinuar. Pas tyre qëndronin grupe të ndryshme, nga anarkistët e majtë dhe aktivistët pro-ukrainas, deri tek grupet e ekstremit të djathtë. Ndonjëherë autorët ishin njerëz që nuk e lidhnin veten me ndonjë lëvizje. Për shembull, Ilya Farber, një artist 48-vjeçar dhe ish-mësues në një fshat, u arrestua në Udmurtia në fund të muajit maj për djegien e 2 zyrave të rekrutimit ushtarak. “Doja të zbuloja se çfarë isha në gjendje të bëja. A jam unë … i aftë ta bëj këtë”- tha ai gjatë marrjes në pyetje.
Autoritet e kishin të vështirë të heshtnin mbi zjarrvëniet, pasi vetë guerilët postonin në mënyrë aktive video rreth tyre në rrjetet sociale. Por ndërsa është e pamundur të fshihet djegia e zyrave të rekrutimit, aspekti tjetër i luftës guerile – sabotimet e linjave hekurudhore – mund të fshihet duke u cilësuar në çdo rast si probleme teknike.
Dhe kjo është ajo që janë përpjekur të bëjnë autoritetet ruse. Por statistikat zyrtare tregojnë se numri i aksidenteve hekurudhore, është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës. Pas fillimit të një luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, lajmet për sabotime në hekurudha, nisën të shfaqen gati çdo ditë.
Më 1 maj, një urë në rajonin e Kurskut e projektuar për kalimin e trenave të mallrave, u shkatërrua në një akt sabotimi. Sipas “The Insider”, bazuar vetëm në raportimet e mediave, 63 trena mallrash kanë dalë nga shinat në Rusi që nga marsi deri në qershor të këtij viti. Pra një herë e gjysmë më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vendndodhja e tyre është kryesisht në Rusinë Perëndimore dhe pranë garnizoneve ushtarake. Sipas Hekurudhave Ruse dhe autoriteteve inspektuese, shumica e aksidenteve, ose 55.3 për qind, lidheshin me gjendjen e keqe të shinave. Por autoritetet nuk mund të injorojnë faktin se një pjesë e asaj që ndodh në hekurudha është sabotim.
Më 24 shkurt, ditën e parë të luftës, Ministria e Transporteve urdhëroi rritjen e nivelit të sigurisë në hekurudhat në rajonet jugore. Në prill, Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ukrainës, publikoi një telegram në të cilin krerëve të seksioneve të caktuara hekurudhore në rajonet Rostov dhe Krasnodar Krai, iu kërkua të bashkëpunonin me FSB-në dhe policinë për të garantuar sigurinë e shinave hekurudhore.
Por të gjitha këto masa kanë pasur deri më tani pak efekt:aksidentet vazhdojnë të ndodhin, sidomos në rajonet kufitare. Për shembull, më 12 prill, banorët e fshatit Titovka në rajonin Belgorod në kufirin me Ukrainën u zgjuan nga një shpërthim. Brenda një ore guvernatori Gladkov u përpoq të shpjegonte situatën.
“Në rajonin urban Shebekino, ka pasur dëmtime në shinat e hekurudhës. Nuk ka viktima apo të plagosur. Vetëm hekurudha është shkatërruar. Një grup pune po punon për riparimin e saj. Do të raportoj më vonë për shkaqet”- tha ai. Por guvernatori i Belgorodit nuk ka dhënë ende sot një shpjegim.
Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë shinat e hekurudhës të përkulura për lart, shinat e ndryshkura dhe një pjesë të urës të shembur. Më 27 prill, FSB raportoi kapjen e dy rusëve, të cilët dyshohet se po përgatisnin një akt të ri sabotimi në rajonin Belgorod.
Sipas FSB-së, të arrestuarit ishin “mbështetës të nazizmit ukrainas” dhe i kishin “transmetuar informacione në lidhje me ushtarakët rusë” faqes ukrainase të internetit Mirotvorets (Paqebërësit). Por ata nuk publikuan emrat e të kapurve. Fytyrat e tyre ishin të paqarta në një video të publikuar nga RIA Novosti.
Ata thanë disa fraza të mësuara përmendësh, dhe njëri prej tyre kishte veshur qëllimisht një bluzë me flamurin britanik. Sipas raporteve zyrtare, u akuzuan për përgatitjen e një akti sabotazhi. Por “The Insider” nuk ishte në gjendje të gjente asnjë të dhënë për arrestimet e personave me akuza të tilla në gjykatat e rajonit Belgorod.
Roman Starovoit, guvernatori i rajonit të Kurskut, foli për shkatërrimin me një minë të një ure tjetër hekurudhore më 1 maj. Ai e quajti incidentin një “akt sabotimi” dhe Komiteti Hetues hapi një hetim penal për akte terrorizmi. Në rrjetet sociale u pretendua se FSB po kërkonte anëtarët e një “organizate militante të anarko-komunistëve”, që kishte përgatitur një akt sabotimi në shinat hekurudhore në Sergiev Posad, në rajonin e Moskës.
FSB nuk arriti t’i gjente “anarkistët militantë”, por “The Insider” po. Përfaqësuesit e Organizatës Militante të Anarko-Komunistëve (BOAK), raportuan se kishin penguar trenat që shkonin për të transportuar në front një njësi tjetër ushtarake.
“Fatkeqësisht, sabotimi u zbulua në mbrëmjen e 25 qershorit. Megjithatë, akti i sabotimit e dëmtoi armikun duke vonuar lëvizjen e trenave me pajisje ushtarake, dhe duke shkaktuar jo pak dëme ekonomike për shkak të nevojës për rindërtimin e hekurudhës”- thanë përfaqësuesit e celulës.
Sipas vetë anarkistëve, aktivitetet e tyre janë frymëzuar kryesisht nga veprimet e partizanëve bjellorusë, të cilët i rezistuan fort pushtimit rus përmes Bjellorusisë në fillim të luftës. Kur trupat ruse kaluan fillimisht kufirin Bjellorusi në Ukrainë, për atë që ata mendonin se do të ishte një sulm rrufe drejt Kievit, synuan të përdorin rrjetin e gjerë hekurudhor të rajonit për furnizime dhe përforcime.
Por planet e tyre u penguan nga një rrjet guerilasish bjellorusë, që filluan të sulmonin infrastrukturën hekurudhore. Për shembull, ata shkatërruan rrjetin e kontrollit të sinjalizimit hekurudhor. Për pasojë, trenat qëndruan në vend për ditë të tëra, duke i detyruar rusët të përdorin kamionët për të ri-furnizuar trupat e tyre.
Ky akt sabotimi, çoi në krijimin e autokolonës së famshme 60 kilometra të gjatë në veri të Kievit. Deri më sot, dhjetëra njerëz janë arrestuar në Bjellorusi për çështjen e “guerilasve të hekurudhës”. Përpjekjet për ta dëmtuar hekurudhën dhe për të vonuar trenat në Bjellorusi nisën që në vitin 2021.
Pasi autoritetet reaguan ndaj protestave paqësore – mitingje dhe fletëpalosje – me arrestime masive, tortura dhe dënime të gjata me burg, disa protestues kaluan në veprime më drastike. Kështu u formua lëvizja joformale “Supratsiou”, e cila përfshinte lëvizjen “Partizanët kibernetikë” dhe “Busli Lyatsyats”, të cilat filluan të zhvillojnë metoda për sulme të decentralizuara në infrastrukturën hekurudhore.
Në nëntor 2021, qeveria bjelloruse e shpalli lëvizjen si terroriste. Një muaj para fillimit të luftës (24 janar), aktivistët e “Supratsiou” kryen një sulm mbi hekurudhat bjelloruse. Ata koduan shumicën e serverëve, bazat e të dhënave dhe rrjetet e kontrollit. Synimi ishte ngadalësimi dhe ndërprerja e operacioneve hekurudhore.
Në Rusi, anarko-komunistët janë bërë forca më aktive “subversive”. Një numër kanalesh janë shfaqur në Telegram që nga fillimi i luftës. Ato postojnë udhëzime se si të vonohen trenat apo si të shkaktohen aksidente në hekurudhë dhe të mos kapesh nga autoritetet.
Ata kanë marrë përgjegjësinë jo vetëm për çmontimin dhe sabotimin e shinave hekurudhore, por edhe për zjarrvënien ndaj kullave të telefonisë celulare, madje edhe për djegien e makinave të bashkëpunëtorëve të regjimit.
Për t’u koordinuar dhe shtuar radhët me anëtarë të rinj, anarkistët kanë krijuar mundësinë e anëtarësinë anonime në celulën pranë vendbanimit të tyre. Anëtarët e organizatës, thonë se se BOAK ekziston prej disa vitesh, por u prezantua publikisht vetëm pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Ivan, një nga drejtuesit e lëvizjes, thotë se çdo ndërprerje dhe vonesë në furnizime dhe komunikime, ndërhyn në funksionimin e makinerisë ushtarake rusë. “Kjo do të thotë që në momentin vendimtar, do të ketë më pak tanke ose predha në fushën e betejës. Dhe nëse arrijmë të nxjerrim nga shinat një tren, pajisjet jo vetëm që do të vonohen, por do të dëmtohen. Po ashtu do të dëmtohet trenat, shinat e kështu me radhë. E gjithë kjo mund të dobësojë seriozisht forcat e armatosura ruse, dhe të ndikojë në përshpejtimin e mbarimit të luftës”- thotë ai.