“Ja kush janë Lolita dhe JOQ”, Erion Veliaj zbulon emrat: Mos paguani gjobat e tyre

schedule16:45 - 29 Mars, 2023

schedule 16:45 - 29 Mars, 2023

TIRANË – Për herë të parë bëhen publike emrat dhe fytyrat e dy prej portaleve online që jo rrallë shquhen që godasin, politikanë, ministra dhe biznese. Kryetari i bashkisë së Tiranës ka publikuar emrat e atyre që fshihen pas “Jeta Osh Qef” dhe Lolita, ndërsa i bën thirrje bizneseve të mos paguajnë gjobat që këto portale vendosin.

“Ju që jeni drejtues të kompanive e dini fare mirë, se keni ardhur tek unë dhe më keni thënë: A ta paguaj atë Erland Dalliun e “Jeta Osh’ Qef”, vetëm që të më lërë rehat? Dhe përgjigja që keni dëgjuar nga unë është: “JO”. Për sa kohë që unë nuk i paguaj gjobat e Erland Dalliut dhe të “Jeta osh’ Qef”, nuk do t’i paguani as ju, se nuk mund të kemi një marrëdhënie ku ju paguani gjobat e atyre që janë tërë ditën me “Range Rover” dhe që s’kanë hipur ndonjëherë në autobus. Erland Dalliu është nipi i Brahim Dalliut – ta dijë gjyshi i tij, që në muajin e Ramazanit bëhet një haram i tillë dhe nipi i tij gjobit gjithë autobusët… i kam thënë edhe linjës së Kombinatit, “jo, s’ke për të paguar”, edhe linjës Green Line i kam thënë “s’ke për të paguar”, le t’iu vijnë me oferta. O do ta bëjmë këtë punë siç bëj unë punët e bashkisë, që pavarësisht gjobave vazhdojmë përpara, dhe koha na provon që kemi të drejtë, po kështu nuk bëhet të jesh nipi i një haxhiu të nderuar, një kleriku të madh si Brahim Dalliu, dhe sot Erland Dalliu u vë gjoba kompanive të autobusëve, kjo nuk pranohet, se në dallim nga ata gazetarët që të paktën dalin me emër, këta dalin edhe pa emër”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ai deklaroi se drejtuesit e këtyre faqeve fshihen pas pseudonimeve. “Më erdhi dje dikush tjetër për atë aksidentin e fundit, më tha: ‘Anisa e Vithkuqit e “Lolitës” më ka vënë gjobë’. I thashë: “Jo, jo, Anisa e Vithkuqit le t’i rrisë dy fëmijët e saj siç i rrisin të gjithë, jo me gjoba”. Nuk do paguaj asnjë gjobë dhe këtë radhë do provoj që ti mund të bësh një fushatë me vendime të rëndësishme, me vendime të drejta, me vendime të ndershme pa paguar asnjë gjobë dhe të fitosh. Po ju garantoj, ne do t’i fitojmë këto beteja, jo vetëm politike, por edhe betejat për transportin publik, pa paguar asnjë gjobë, as Anisa Vithkuqit, as Erland Dalliut, dhe as ndonjë gjobaxhiu tjetër që fshihet pas emrave që duket sikur janë gallatë dhe në fakt janë makineritë më të mëdhaja të gjobave. Se i bie që duhet të fusni në bilancin tuaj edhe këto kosto. Pra, mirë kostoja e naftës, mirë kostoja e stresit, mirë kostoja e dikujt që mund të jetë i sëmurë ose e dikujt që është me agjërim apo edhe e një aksidenti ku s’ke faj fare, por të fusësh edhe koston e Anisa Vithkuqit dhe Erland Dalliut, për të përballuar transportin publik… jam i sigurt që edhe Xhoni, edhe Kristiani [ekspertët e GIZ], teksa dëgjojnë fjalët e mia thonë: “s’e kishim dëgjuar këtë kosto të tillë!”, se sigurisht në Londër nuk ka njeri që të vë gjoba për autobus: “O paguaj këtu haraçin ose ne do të biem përditë dhe po të doli tym nga marmita do të themi që është zjarr”. Sigurisht që, Kristiani habitet dhe thotë “Ç’a janë këto muhabete!”, por këtu në Shqipëri, kush bën biznes, ka edhe një bilanc tjetër që është një bilanc në të zezë i haraçit që ti duhet të paguash nga këta që jetojnë me punë të pandershme, që nuk e nxjerrim emrin e tyre dhe nuk e thonë përballë kritikën, por fshihen pas një pseudonimi gallate, qejfi, por ndërkohë janë gjobaxhinjtë më të mëdhenj në këtë qytet”, u shpreh Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!