Forcat izraelite kanë vrarë pesë sulmues të armatosur palestinezë gjatë një bastisjeje në një kamp refugjatësh në Bregun e pushtuar Perëndimor më 6 shkurt. Bastisja e fundit pritet që edhe më tej të përshkallëzojë tensionet në këtë rajon.
Zyra e presidentit të autoritetit palestinez tha se kjo dhunë është krim, duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Izraelit që të mos vazhdojë me inkursione.
Ushtria izraelite tha se bastisja u krye me qëllim që të arrestohej një celulë militantësh që kishte kryer një sulm në një restorant në vendbanimin hebre në Bregun Perëndimor.
Dhuna e fundit vjen në një prej periudhave më vdekjeprurëse në vitet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez dhe në javët e para të Qeverisë së re izraelite, që ka premtuar se do të ketë një qasje më të ashpër ndaj palestinezëve.
Ushtria izraelite tha se po operonte në kampin e refugjatëve Akabat Xhabër, për të arrestuar të dyshuarit e sulmit të muajit të kaluar në një restorant në Bregun Perëndimor. Ushtria tha se disa prej sulmuesve që u vranë ishin të përfshirë në ngjarjen e muajit të kaluar.
“Qeveria e re e Izraelit po vazhdon me serinë e krimeve kundër popullit palestinez”, tha Zyra e presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.
Ndërkaq, Jihad Abu Al-Assal, guvernator i Jerikos në Luginën e Jordanit, tha se ushtria izraelite po mban trupat e pajetë të viktimave. Pa qasje në trupat e viktimave, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se nuk mund të konfirmojë numrin e të vrarëve, por shtoi se tre persona janë të plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Sipas burimeve të sigurisë, Associated Press raportoi se dy prej të vrarëve ishin anëtarë të Hamasit, ndërkaq tre të tjerë u vranë gjatë këmbimit të zjarrit me trupat izraelite gjatë bastisjes.
Që nga pranvera e kaluar, ushtria izraelite ka shpeshtuar bastisjet në Bregun Perëndimor, pas një serie të sulmeve vdekjeprurëse palestineze brenda Izraelit.
Vitin e kaluar, pothuajse 150 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, që është numri më i lartë i viktimave në këtë zonë që nga viti 2004, kanë thënë organizatat për të drejtat e njeriut. Ndërkaq, që nga fillimi i këtij viti, 41 palestinezë janë vrarë në këto territore. Rreth 30 persona janë vrarë në Izrael nga palestinezët më 2022.
Ushtria izraelite ka thënë se shumica e palestinezëve të vrarë kanë qenë militantë.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët thonë se këto territore do të jenë pjesë e një shteti të tyre të pavarur në të ardhmen.
/Rel