Izraeli, sulm ndaj iranit pas takimit Netanyahu-Putin

schedule22:49 - 10 Maj, 2018

schedule 22:49 - 10 Maj, 2018

Disa orë pas takimit mes kryeministrit izraelit dhe presidentit rus Putin, shteti hebre ka bombarduar bazat iraniane në Siri. Sulmi, që ishte një reagim ndaj një agresioni të mëparshëm të trupave iraniane, ka konfirmuar se Siria është kthyer në bazën e lojrave gjeopolitike ndërkombëtare.

Izraeli dhe Irani, rivalët historikë të Lindjes së Mesme, vazhdojnë të përballen duke zgjedhur Sirinë si fushën e betejës. Pasditen e së enjtes, shteti hebre ka deklaruar se ka goditur thuajse të gjithë infrastrukturën ushtarake të Republikës Islamike në këtë vend.

Sipas njoftimit, sulmi ka ardhur si përgjigje ndaj një agresioni me 20 raketa që iu bë në orët e mëngjesit pozicioneve të trupave izraelite në Lartësitë Golan. Duke reaguar ndaj ngjarjes, qeveria siriane ka deklaruar se dhunimi i Izraelit u ka marrë jetën tre personave, ndërsa nga vetë Irani nuk ka patur asnjë reagim.

Sulmi ndaj trupave të Gardës Revolucionare Iraniane ka ardhur pas një takimi që kryeministri izraelit zhvilloi me presidentin rus Putin, që bashkë me Teheranin janë aleatët kryesorë të Sirisë. Sidoqoftë do të ishte spekulim të thuhej nëse Benjamin Netanyahu ka marrë “bekimin” e kreut të Kremlinit për të kryer ndërhyrjen e tij.

Lartësitë Golan janë një zonë shkëmbore në jug-perëndim të Sirisë, rreth 50 kilometra nga Damasku. Izraeli pushtoi pjesën dërrmuese të saj gjatë luftës së vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë, një lëvizje që nuk është njohur ndërkombëtarisht. Gjermania, Franca, por edhe Rusia u kanë bërë thirrje palëve të vetëpërmbahen, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se Irani është vetë përgjegjës për pasojat e veprimeve të tij, pasi Izraeli ka të drejtën legjitime të mbrohet./abcnews.al