Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka paralajmëruar Iranin pas rrëzimit të një avioni të ushtrisë së shteti hebre. Ai nënvizoi se ka të drejtë të mbrohet. Netanjahu ka marrë mbështetje dhe nga SHBA.
Në Lindjen e Mesme po regjistrohen shenja tensioni që mund të çojnë në fillimin e një lufte të re. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se vendi i tij do të mbrojë veten “kundër çdo sulmi” pasi ka kryer sulmet më të mëdha në Siri në dekada. Izraeli zhvilloi sulme kundër objektivave iraniane pasi tha se kishte kapur një avion iranian që ka kaluar kufirin Siri-Izrael. Por Teherani zyrtar mohon akuzat.
Gjatë sulmeve, një avion izraelit F-16 u rrëzua nga mbrojtja ajrore e Sirisë. Mjeti fluturues ka rënë në veri të Izraelit. Pilotët e tij u larguan nga aeroplani dhe u dërguan në spital. Besohet të jetë hera e parë që Izraeli ka humbur një avion në luftime që nga viti 2006. Netanjahu paralajmëroi se politika e Izraelit për të mbrojtur veten kundër “çdo përpjekjeje për të dëmtuar sovranitetin ështe absolutisht e qartë”.
“Irani shkelur me forcë sovranitetin e Izraelit. Ata dërguan një avion iranian nga territori sirian në Izrael”, tha ai bërë përgjegjës Damaskun dhe Teheranin. Netanjahu nënvizon se Izraeli do të kundërshtojë çdo përpjekje nga Irani për të përforcuar veten ushtarakisht në Siri. Por ai gjithashtu tha gjatë një takimi me shefat ushtarakë se “Izraeli kërkon paqen”.
Ndërkohë, komandoja e përbashkët ushtarake Iran-Hezbollah-Siri e ka quajtur mashtrim pretendimin që avioni I nisur nga Siria të ketë shkelur hapësirën ajrore të shtetit hebre. “Mjeti fluturues është goditur në Homs, në Sirinë qëndrore, ndërsa ishte në fluturim në kërkim të celulave të ISIS”, thotë komandoja. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghassemi e ka cilësuar qesharak njoftimin që Izraeli të ketë rrëzuar një avion iranian.
Lidhur me këto përplasje ka pasur dhe reagime ndërkombëtare. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë me dije se mbështet plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Gjithashtu me anë të Departamentit të Shtetit ka fajësuar Iranin për konfrontimin. Kurse presidenti rus, Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike me Netanjahun theksoi nëvojën për të shmangur “përshkallëzimin e rrezikshëm të situatës”. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ulje tensionesh në mënyrë të menjëhershme dhe vetëpërmbajtje në veprime përreth kufinjve të Sirisë./abcnews.al