Izraeli paralajmëron Houthit se do të kenë fatin e Hamasit dhe Hezbollahut

schedule20:59 - 30 Dhjetor, 2024

schedule 20:59 - 30 Dhjetor, 2024

Ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Danny Danon bëri të hënën atë që ai e quajti një paralajmërim të fundit për militantët Houthi të Jemenit, që kanë mbështetjen e Iranit, për të ndalur sulmet me raketa ndaj Izraelit.

Ai tha se nëse një gjë e tillë nuk ndodhte Houthit do të kishin të njëjtin “fat si Hamasi, Hezbollahu dhe Bashar al-Assadi i Sirisë”, siç tha ai.

Zoti Danon paralajmëroi ndërkohë Teheranin se Izraeli ka aftësinë të godasë çdo objektiv në Lindjen e Mesme, përfshirë Iranin, duke shtuar se shteti hebre nuk do të toleronte sulmet nga grupet militante që e ka mbështetjen e Teheranit.

Grupi i militantëve Houthis ka kryer vazhdimisht sulme me dronë dhe raketa drejt Izraelit duke i cilësuar si akte solidariteti me palestinezët në Gazë.

“Ndoshta ju nuk i keni kushtuar vëmendje asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme gjatë vitit të kaluar. Më lejoni t’u kujtoj se çfarë ka ndodhur me Hamasin, Hezbollahun, Assadin, dhe të gjithë ata që kanë bërë përpjekje për të na shkatërruar. Le të jetë ky paralajmërimi i fundit. Do të keni të njëjtin fat të mjerë. Ky nuk është një kërcënim. Është një zotim. Ju do të keni të njëjtin fat të mjerë”, tha ambasadori izraelit Danny Danon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke iu drejtuar grupit militant.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!