Izraeli: Nuk kërkojmë të dëbojmë palestinezët nga Gaza

schedule12:33 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 12:33 - 4 Dhjetor, 2023

Ushtria izraelite tha sot se nuk kërkonte të detyronte palestinezët të zhvendoseshin në Egjipt, por pranoi situatën e vështirë me të cilën po përballeshin në Rripin e Gazës.

“Ne nuk po kërkojmë të largojmë njerëzit nga atje,”tha zëdhënësi ushtarak izraelit Jonathan Conricus.

“Egjipti ka qenë absolutisht i qartë për këtë çështje: nuk e dëshiron diçka të tillë,” shtoi ai. “Ne nuk po kërkojmë të zhvendosim popullsinë përgjithmonë,” theksoi Conricus.

“Ne u kemi kërkuar civilëve që të largohen nga fusha e betejës dhe kemi caktuar një zonë specifike humanitare brenda Rripit të Gazës,” shpjegoi ai, duke iu referuar zonës bregdetare al-Maëasi.

“Ne e dimë shumë mirë se hapësirat janë të kufizuara dhe kjo është arsyeja pse është thelbësore të marrim mbështetjen e organizatave ndërkombëtare humanitare për të ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës në zonën al-Maëasi,” shtoi zëdhënësi ushtarak izraelit.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk shprehu shqetësimin gjatë fundjavës se qindra mijëra banorë të Gazës po strehoheshin në zona gjithnjë e më të vogla në enklavën jugore palestineze.

“Nuk ka vend të sigurt në Gaza”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi ditën e djeshme se 15,523 njerëz janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve izraelite, nga të cilët 70% janë gra dhe fëmijë.

Lufta filloi më 7 tetor pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz. Pas përfundimit të armëpushimit të javës së kaluar, Izraeli ka zgjeruar operacionet e tij në Gaza, gjë që ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.

Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, rreth 1.8 milionë njerëz në Gaza, rreth 75% e popullsisë, janë zhvendosur. Egjipti, i cili kufizohet me enklavën palestineze, ka hedhur poshtë idenë e një lëvizjeje masive të palestinezëve në territorin e tij.

Përveç kësaj, edhe vendet arabe janë kundër zhvendosjes së palestinezëve. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka deklaruar se “njerëzit duhet të jenë në gjendje të qëndrojnë në Gaza, në shtëpitë e tyre”.

Lufta që çoi në themelimin e Izraelit 75 vjet më parë detyroi zhvendosjen e 760,000 palestinezëve, një ngjarje e njohur si Nakba, që do të thotë katastrofë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!