Izraeli nis sulmet ajrore në Gazë dhe Siri kundër një grupi militant palestinez

schedule14:58 / 24/02/2020

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka nisur sulme ajrore kundër një grupi militant palestinez në Gazë dhe Siri, si përgjigje ndaj sulmeve me raketa. Ushtria e Izraelit tha se ka goditur objektivat e Xhihadit Islamik në Damaskun jugor dhe Rripin e Gazës.

Nuk është e zakonshme që ushtria izraelite të njoftojë zyrtarisht për sulme në Siri, por tha se operacioni kishte në shënjestër “një qendër të veprimtarisë së Xhihadit Islamik”. Autoritetet Siriane kanë thënë se mbrojtja ajrore e Sirisë rrëzoi pjesën më të madhe të raketave izraelite.

Katër persona u plagosën në Rripin e Gazës, njoftuan zyrtarët shëndetësorë, por nuk ka raporte të menjëhershme të viktimave nga sulmet izraelite. Sulmet u ndërmorën, pasi Izraeli jugor u godit prej të paktën 20 raketash të shkrepura nga Rripi i Gazës.

Ende nuk ka raportime për viktima. Armiqësitë filluan të dielën në mëngjes, kur Izraeli lajmëroi se vrau një anëtar të Xhihadit Islamik, përgjatë gardhit të tij kufitar me Rripin e Gazës. Ushtria e Izraelit tha se burri ishte duke u përpjekur të vendoste një pajisje shpërthyese. Disa palestinezë bënë thirrje për hakmarrje dhe disa orë më vonë, raketat u hodhën nga Rripi i Gazës.

Grupi militant Xhihadi Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se është përgjigje për vrasjen e një pjesëtari të grupit, përgjatë kufirit me Gazën. Ky grup është i mbështetur nga Irani dhe përbën njërin ndër grupet militante më të fuqishme në Rripin e Gazës./abcnews.al

schedule14:58 / 24/02/2020