Izraeli nis sulm ajror në jug të Sirisë pas goditjes me predha në Golan

schedule15:38 - 4 Qershor, 2025

schedule 15:38 - 4 Qershor, 2025

Ushtria izraelite ndërmori sulme ajrore ndaj objektivave të qeverisë siriane në provincën jugore të Deraas, pasi dy predha ranë në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli.

Ushtria izraelite njoftoi të hënën se ka kryer sulme ajrore në jug të Sirisë, duke goditur objektiva të lidhura me regjimin sirian. Sipas Tel Avivit, ndërhyrja ushtarake vjen si përgjigje ndaj dy predhave të lëshuara më herët nga territori sirian në drejtim të Lartësive të Golanit, që kontrollohen nga Izraeli.

Ministria e Jashtme siriane deklaroi se sulmet izraelite shkaktuan “humbje të konsiderueshme njerëzore dhe materiale” në provincën Deraa, duke akuzuar Izraelin për përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se për incidentin mban përgjegjësi presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, pasi predhat ranë në zona të hapura në jug të Golanit.

Përgjegjësinë për sulmin me raketa e mori një grup i panjohur më parë, i quajtur Brigadat e Martirit Mohammed Deif, që mban emrin e një ish-komandanti ushtarak të Hamasit të vrarë nga Izraeli.

Sipas mediave izraelite, ky ishte sulmi i parë me predha nga Siria që prej dhjetorit të kaluar, kur forcat rebele të udhëhequra nga Sharaa rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad, duke i dhënë fund një lufte civile që zgjati 13 vjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!