Dhjetëra palestinezë të sëmurë dhe të plagosur u lejuan të shkonin në Egjipt të enjten, një nga evakuimet e para mjekësore që nga mbyllja e pikë kalimit kufitar me Egjiptin në muajin maj.
Gjashtëdhjetë e tetë persona, në mesin e tyre 19 fëmijë të sëmurë dhe të plagosur dhe familjet e tyre kaluan në Egjipt në kuadër të një evakuimi të koordinuar me zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe komuniteti ndërkombëtar, tha ushtria izraelite.
Njëzet e një pacientë me kancer nga Gaza po transportohen në Emiratet e Bashkuara Arabe për trajtim mjekësor, sipas agjencisë së lajmeve Agence France-Presse. Është e paqartë nëse 21 pacientët me kancer janë pjesë e 68 personave të evakuuar.Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve të Gazës, tha se më shumë se 25,000 pacientë në Rripin e Gazës kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë vendit dhe se rruga nga pikëkalimi Kerem Shalom në Egjipt nuk mund të zëvendësojë atë në Rafah, që e lidh drejtpërdrejt Gazën me Egjiptin.
Ndërkohë, forcat izraelite hynë në një lagje të qytetit të Gazës të enjten dhe urdhëruan banorët palestinezë që të zhvendoseshin në jug, në kuadër të një operacioni, që Izraeli thotë se është pjesë e fazave përfundimtare të luftës kundër militantëve të Hamasit.