Ushtria izraelite tha se forcat e saj sulmuan mëngjesin e sotëm objektiva në Siri pasi gjashtë raketa u lëshuan nga territori sirian drejt Izraelit, në një sulm të rrallë nga fqinji verilindor i tij.
Izraeli tha se fillimisht u përgjigj duke sulmuar zonën siriane nga ku u hodhën raketat. Më vonë, ushtria tha se avionët luftarakë izraelitë sulmuan ndërtesa të ushtrisë siriane.
Sulmet me raketa erdhën pas përshkallëzimit të dhunës në fronte të shumta për shkak të tensioneve në Jeruzalem dhe ndërhyrjes së policisë izraelite në vendin e shenjtë më të ndjeshëm të qytetit, xhaminë Al Aksa.
Sipas njoftimeve në media, një grup palestinez me bazë në Damask, që është besnik ndaj regjimit sirian, ka marrë përgjegjësinë për lëshimin e tre raketave të shtunën në drejtim të Izraelit.
Brigada Al Quids u citua të deklaronte se goditja me raketa erdhi si përgjigje ndaj sulmit të policisë izraelite në xhaminë Al-Aksa.
Në Siri, një këshilltar i Presidentit Bashar Assad e cilësoi sulmin me raketa si “pjesë të përgjigjes ndaj armikut agresiv”.
Në Bregun Perëndimor, forcat izraelite qëlluan për vdekje një 20-vjeçar palestinez, ndërsa vazhdon shtimi i dhunës në atë rajon.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press më shumë se 90 palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite që nga fillimi i këtij viti.
Sulmet palestineze ndaj Izraelit kanë shkaktuar 19 viktima, deri tani, përfshirë dy shtetase britaniko-izraelite dhe një italian, që mbeten të vrarë të premten./VOA