Izrael/ Rezultat i barabartë në zgjedhje, sondazhet favorizojnë Netanjahun

schedule23:45 - 9 Prill, 2019

schedule 23:45 - 9 Prill, 2019

Në Izrael është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme. Shifrat paraprake flasin për një ndarje të barabartë të Parlamentit mes partisë Likud të Beniamin Netanjahut dhe rivalit të tij Beni Ganc, por sondazhet favorizojnë më shumë kryeministrin në shanset për formimin e qeverisë.

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu është në rrugën e duhur për të siguruar një tjetër mandat qeverisës. Kështu sugjerojnë sondazhet e fundit, të publikuara në mediat izraelite në përfundim të procesit të votimit në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme. Por edhe rivali Beni Ganc shpalli fitoren pasi sondazhe të tjera tregonin se partia e tij Bardheblu dhe ajo Likud e Netanjahut kishin fituar thuajse të njëjtin numër vendesh në parlamentin me 120 ulëse.

Fituam! Populli izraelit e tha fjalën. Këto zgjedhje kanë tashmë një fitues dhe një humbës”, deklaroi partia Bardheblu në një komunikatë. Por, kur asnjëra palë nuk ka siguruar shumicën në Parlament, anketat e publikuara në stacionet kryesore televizive të vendit nxjerrin Netanjahun në një pozicion më favorit për të formuar qeverinë me ndihmën e fraksioneve të krahut të djathtë.

“Blloku i krahut të djathtë i udhëhequr nga Likud triumfoi përfundimisht. Falenderoj qytetarët e Izraelit për besimin dhe do të nis menjëherë nga puna për formimin e qeverisë me partnerët tanë”, reagoi Netanjahu në Twitter. Netanjahu, në pushtet që prej vitit 2009 po lufton për mbijetesë politike. Në të njëjtën kohë ai po përballet me akuzat për korrupsion në 3 çështje të ndryshme, të cilat i ka mohuar. Nëse fiton, 69-vjeçari do të sigurojë një mandat të pestë dhe të shënojë rekordin si kryeministri më jetëgjatë i shtetit hebre. /abcnews.al