Policia izraelite ka kërkuar inkriminimin e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Ai është i dyshuar në raste për korrupsion, mashtrim dhe abuzim. Megjithatë, shefi i qeverisë ka bërë me dije se nuk do të dorëhiqet.
Benjamin Netanjahu duhet të akuzohet zyrtarisht për korrupsion, mashtrim dhe abuzim me besimin e qytetarëve. Ky është rekomandimi i policisë izrealite lidhur me dy raste të ndryshme. Vendimi tani i takon prokurorit të përgjithshëm, Avishaï Mandelblit, dhe kjo mund të kërkojë javë apo muaj. Ndërkohë, kryeministrit izraelit, pak pas shpërndarjes së lajmit, ka mbajtur një fjalim për kombin të transmetuar drejtëpërdrejtë në television. Netanjahu hodhi poshtë akuzat duke pretenduar se është i pafajshëm dhe njoftoi se nuk do të dorëhiqet.
“Këto rekomandime nuk kanë asnjë vlerë ligjore në një vend demokratik. Do të vazhdoj të drejtoj Izraelin në mënyrë të përgjegjshme dhe besnike”, tha shefi I qeverisë së Tel Avivit. Më tej shton se gjithçka që ka bërë ka qenë për të mirën e vendit dhe jo për puro ndaj miqve as për mbulim më të mirë mediatik.
Termat “puro” dhe “mbulim mediatik”, janë referime për dy raste të ndryshme në të cilat është i dyshuar. Në të parin, të njohur si “Çështja 1000”, dyshohet se ka pranuar dhurata të shtrenjta në këmbim të angazhimit për të mbrojtur interesat e dërguesve: në 2009 ka pranuar dhurata për mbi 100 mijë dollar, mes të cilave figurojnë puro të shtrenjta dhe shampanjë, nga manjati I Hollivudit Arnon Milchan dhe nga miliarderi Australian James Packer. Sipas mediave vendase, kjo ka shtyrë Netanjahun për ligjin Milchan, që parashikon lehtësi fiskale për izraelitët që jetojnë jashtë vendit dhe që vendosin të kthehen.
Rasti numër dy, e njohur si “Çështja 2000”, kryeministri izraelit është i dyshuar se ka tentuar të arrijë një marrëveshje që do I mundësonte mbulim mediatik pozitiv nga gazeta e dytë më e madhe në vend “Yedioth Ahronoth”, në këmbim shefi i qeverisë do të angazhohej në dëmtimin e gazetës rivale “Israel Hayom”. Ndërkohë, Netanjahu do të detyrohet të japë dorëheqjen vetëm nëse dënohet zyrtarisht. Ai drejton Izraelin që prej vitit 2009 si kryeministër. 68-vjeçari ka pasur një mandate si kryeministër edhe nga viti 1996 deri në 1999. Ndërkaq, ish-kryeministri Ehud Olmert u detyrua të jepte dorëheqjen për një rast korrupsioni. Ai drejtoi qeverinë izraelit nga 2006 deri në 2009./abcnews.al