Izrael, Netanjahu: Do të aneksoj kolonitë në Bregun Perëndimor

schedule19:20 - 7 Prill, 2019

schedule 19:20 - 7 Prill, 2019

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu ka deklaruar se nëse rizgjidhet, do të aneksojë të gjitha kolonitë në Bregun Perëndimor. Deklarata vjen në përpjekje për të marrë sërish detyrën e kreut të qeverisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se do të aneksojë kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor në rast se rizgjidhet në krye të qeverisë. Izraeli shkon në zgjedhje ditën e martë dhe Netanjahu po garon për votat e partive të krahut të djathtë, që mbështesin aneksimin e pjesshëm të Bregut Perëndimor. Në bazë të ligjit ndërkombëtar, kolonitë janë ilegale, por vetë shteti hebre e kundërshton këtë. Netanjahu u pyet lidhur me çështjen gjatë një interviste televizive.

“Ju po më pyesni nëse po lëvizim drejt fazës së ardhshme dhe përgjigja ime është po, po lëvizim drejt saj”, deklaroi Netanjahu. Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 400 mijë izraelitë, ndërsa 200 mijë të tjerë në Jeruzalemin lindor.

Njëkohësisht atje jetojnë dhe 2.5 milionë palestinezë, të cilët duan të krijojnë shtetin e tyre në këto zona, si dhe në Rripin e Gazës. Për Izraelin, palestinezët po e përdorin çështjen e kolonive si një pretekst për t’iu shmangur bisedimeve për paqen. Për shtetin hebre, kolonitë nuk përbëjnë pengesë për negociatat dhe janë një temë e negociueshme.

“Unë do ta zgjeroj sovranitetin e Izraelit dhe nuk do të bëj dallime mes kolonive në bllok dhe atyre të izoluara”, ka thënë ndër të tjera Netanjahu. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njohën si territor izraelit Lartësitë Golan, të cilat i janë marrë Sirisë në vitin 1967./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!