Izolohet Koreja e Veriut/ Vendi komunist hedh në erë rrugët që e lidhin me Korenë e Jugut

schedule15:39 - 15 Tetor, 2024

schedule 15:39 - 15 Tetor, 2024

Koreja e Veriut ka bombarduar duke hedhur në erë disa segmente rrugore mes saj dhe Koresë së Jugut, rrugë këto që nuk ishin më në përdorim, por më herët ishin përdorur për tregti ndërkufitare mes dy vendeve.

Komanda ushtarake e Seulit lëshoi paralajmërimin për një situatë të rrezikshme mes dy vendeve ndërsa tha se shpërthimi ndodhi në orët e mesditës.

Tensionet në gadishullin korean janë rritur përgjatë javëve të fundit, me Penianin që kishte paralajmëruar një lëvizje të tillë duke thënë se dëshiron të shkatërrojë çdo rrugë dhe hekurudhë mes dy vendeve. Koreja e Veriut është shprehur se të gjitha këto akte po kryhen për të siguruar kufinjtë e tyre ndërsa akuzoi Seulin se javën e shkuar kishte ngritur drone spiune mbi territorin e tyre.

Qeveria e Koresë së Jugut ka dënuar shpërthimet në rrugët dhe hekurudhat mes dy vendeve duke thënë se Pheniani po shkel marrëveshjet e mëparshme mes dy koreve.
Koreja e Veriut ka deklaruar se ka vendosur mina dhe barriera përgjatë kufirit mes dy vendeve ndërsa më herët përgjatë këtij viti Kim Jon Un e shpalli Korenë e Jugut një shtet armiqësor me prioritet të lartë duke thënë se mes tyre nuk mund të ketë më bashkim.

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut konsiderohen se janë ende në konflikt me njëra-tjetrën, pasi lufta mes tyre në vitet 1950- 1953 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje. Rrugët dhe hekurudhat mes dy vendeve janë një mbetje e interesave tregtare që u fuqizuan pas një samiti të vitit 2018, me Korenë e Jugut që ka investuar më shumë se 132 milionë dollarë për rindërtimin e kësaj infrastrukture./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!