Italia është prekur ditët e fundit nga vala e dytë e Koronavirusit dhe rastet pozitive në shtetin fqinj janë rritur ndejshëm. Sigurisht që kjo do të ndikojë edhe futbollin, edhe pse pothuajse e ka bërë tashmë diçka të tillë.
Një ndërprerje tjetër e kampionatit mund të ishte fatale për shumë klube dhe jo vetëm, prandaj për të shmangur dështimin futbolli duhet të vazhdojë me çdo kusht.
Sipas raportimit të “La Repubblica”, drejtuesit e futbollit po mendojnë të bëjnë një grumbullim masiv të ekipeve ashtu siç ndodh në NBA. Mjekët e skuadrave të Serie A e kanë theksuar disa herë se me protokollin aktual do të ishte shumë e vështirë që sezoni të përfundojë.
Është propozuar një ide që lojtarët dhe stafet teknikë t’u nënshtrohen testeve një herë në katër ditë si dhe të luhen disa ndeshje radhazi. Asambleja e Ligës do të mblidhet nesër për të diskutuar rreth situatës dhe me shumë mundësi do të kemi një ulje të re të pagave në Serie A. Tashmë plani për ta zhvilluar kampionatin përmes ndeshjeve të play-off po merr formë, edhe pse ende ka shumë pikëpyetje.
Para disa kohësh, presidenti i FIGC, Gravina, propozoi që gara për titullin kampion të vendoset vetëm përmes ekipeve që luajnë në Europë dhe pozicioni i tij i jep fuqinë për të marrë vendimin e vështirë në rast të një emergjence të re. /abcnews.al