Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka mohuar pretendimet se Serbia ka eksportuar armë dhe pajisje ushtarake në Ukrainë, duke iu referuar pulbikimit të disa dokumenteve konfidenciale nga Pentagoni.
“Ministri Daçiç deklaroi se Republika e Serbisë, duke respektuar aktet ligjore të brendshme dhe ndërkombëtare, nuk eksporton armë dhe pajisje ushtarake në asnjë vend nëse kjo do të mundësonte shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura, kërcënonte ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Sipas Daçiçit, Serbia i përmbahet politikës së saj të neutralitetit ushtarak dhe zbaton konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga shkurti i vitit të kaluar.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se Daçiç ka nënvizuar se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, nga Serbia nuk është eksportuar asnjë armë për asnjërën nga palët në konflikt./abcnews.al